Bojkoti i futbollit, kërkesat e ligës për qeverinë, fokusi te ligji i sponsorizimeve…

Futbolli dhe instancat shtetërore hedhin një hap drejt zgjidhjes së bojkotit të kampionatit. Pas kërkesës së deputetit Fidel Ylli, Liga Profesioniste ka paraqitur me shkrim argumentet e saj për plotësimin e katër kërkesave, të cilat i janë dorëzuar kryeministrit Rama prej datës 10 gusht.

Informacioni i plotë, i hartuar me ndihmën e ekspertëve i është dorëzuar deputetit të Kuvendit, i cili është edhe negociatori i përzgjedhur nga qeveria, që raportin tashmë do t’ia paraqesë ekspertëve të Ministrisë së Financave.

Liga Profesioniste njoftoi se “materiali i paraqitur fokusohet te krijimi i një ligji për sponsorizimet, si një akt i domosdoshëm për zhvillimin e sportit në Shqipëri, mbi bazën e standardeve dhe praktikave europiane”.

Ndër të tjera në dokumentin e paraqitur, drejtuesit e klubeve të Kategorisë Superiore, besojnë se propozimet e Ligës mbështesin qartësisht idetë dhe rrugëzgjidhjet për t’i dhënë një hov cilësor administrimit, formalizimit e zhvillimit të sporteve në vend dhe jo vetëm futbollit.