Bërdariç: Kemi investuar për të qenë në këto nivele, ata që panë ndeshjen e dinë kush dominoi

Vllaznia është duke shijuar nga kreu i renditjes startin perfekt që i ka bërë kampionatit. Shkodranët ndryshuan shumë gjatë merkatos, teksa një nga elementët më të rëndësishëm është edhe trajneri Tomas Bërdariç, i cili në një intervistë për TV Rozafa, thekson se kanë investuar për të qenë në këto nivele.

Tomas, ndjeni kënaqësi kur shikoni renditjen?
Po punojmë profesionalisht dhe kjo na ka ndihmuar të jemi në vend të parë. Por, ky pozicionim është vetëm fillimi, pasi kemi ende shumë rrugë për të bërë. Por, edhe puna jonë është tani ajo që po duket.

E kishit menduar këtë nisje të sezonit?
Të jem i sinqertë e kam ditur që do të kemi vështirësi. Por, javë pas jave jemi rritur dhe ja ku jemi tani. Tifozët presin shumë nga ne dhe shpresojmë që të justifikojmë besimin e tyre. Kemi investuar shumë që të jemi në këto nivele dhe duhet të vazhdojmë të japim maksimumin tonë. Ne e dimë për çfarë kemi luftuar, po i shijojmë këto momente.

Cili është sekreti i kësaj Vllaznie?
Që të jesh i suksesshëm duhet që të jesh me këmbë në tokë, por duhet që të jesh me katër sy dhe të komunikosh me lojtarët në çdo moment. Kënaqësia deri tani është e imja, pasi lojtarët çdo ditë po vijnë në rritje. Ata kanë kënaqësi në lojë dhe kur i shikoj që argëtohen, unë nuk kam sesi t’i ndaloj, por t’i shijojmë së bashku këto momente kënaqësie. Ne falënderojmë edhe financuesin Alban Xhaferi sepse ai ka kaluar çdo cak që të na mbështesë në punën tonë. Dua të theksoj se diskutimet që bëjmë me lojtarët janë shumë frytdhënëse.

Drejtori i Partizanit, Olsi Rama, deklaroi se Vllaznia nuk e dominoi lojën. Keni një koment për këtë?
Ai ka të drejtën që të shpreh mendimin e vet, por ata që kanë ndjekur ndeshjen e kanë parë mirë se kush e dominoi lojën. Ne e kemi pasur ndeshjen gjithmonë nën kontroll. Mendoj se kam nxjerrë 100 % nga lojtarë e mi në atë takim.

Gjithashtu, Rama theksoi se në këtë takim ndikoi edhe prania e më shumë tifozëve nga sa lejohet në kushtet e pandemisë…
Po të isha në vend të tij do të mërzitesha për humbjen, por ai ka mendimin e vet për atë pjesë sipas dëshirës.