Bajraktari: Investimi i reklamuar, pasoja të padëshiruara: tregtarët e zonës në vështirësi…

Shpërndaje

Anëtarja e Këshillit Bashkiak Shkodër nga Partia Demokratike, Valjeta Golemi Bajraktari, ka reaguar lidhur me vendimin për bllokimin e qarkullimit të automjeteve në zonën e tregut të Zdrales, duke e cilësuar këtë masë si të nxituar dhe të padiskutuar me komunitetin. Sipas saj, kufizimet e vendosura kanë krijuar vështirësi serioze për tregtarët dhe banorët e zonës, duke ndikuar drejtpërdrejt në aktivitetin ekonomik dhe jetën e përditshme, ndërsa ka ngritur pikëpyetje mbi transparencën dhe procesin vendimmarrës që çoi në këtë ndërhyrje.

Postimi i plotë:

Investimi aq shumë i reklamuar nga Bashkia Shkodër sot u kthye në një bumerang për tregtarët që ushtrojnë aktivitetin e tyre prej vitesh, si dhe për banorët e zonës.

Kufizimet e lëvizjes së automjeteve në këtë lagje të vjetër të qytetit, e njohur tradicionalisht si zonë tregtie, e kanë bërë sot këtë hapësirë të ngjajë si një zonë në shtetrrethim. Kudo policë bashkiakë që kanë bllokuar rrugët, tregtarë të mërzitur në dyert e bizneseve të tyre dhe banorë që sillen nëpër lagje duke kërkuar një vend ku të lënë makinën, pasi nuk mund të hyjnë në shtëpitë e tyre.

Lindin disa pyetje thelbësore:
Për të mirën e kujt u vendos ky kufizim?
A u zhvillua një dëgjesë me tregtarët dhe banorët para se të merrej ky vendim?
A u miratua nga Këshilli Bashkiak ky ndryshim kaq i ndjeshëm në mobilitet, që prek drejtpërdrejt biznesin dhe jetën e përditshme të banorëve të kësaj zone dhe atyre përrreth?

Kujt i shërben kjo nismë, nëse jo atyre që jetojnë dhe punojnë çdo ditë në këtë zonë?
Zhvillimi nuk bëhet duke përjashtuar ata që jetojnë dhe punojnë aty. Zhvillimi bëhet me ta, jo kundër tyre.

Shpërndaje