Apeli nuk e fali, ja sa milionë lekë duhet të paguajë Vllaznia për të rikthyer në fushë Malotën

Apeli lë në “burg” Renato Malotën. Klubi e ka ankimuar vendimin e dhënë nga Komisioni i Disiplinës më 7 korrik, e megjithatë përgjigjja nuk ka qenë ajo që pritej.

“Lënien në fuqi të vendimit nr.33, datë 07.07.2020 (pika 2) të Komisionit të Disiplinës. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS/TAS) Lozanë Zvicër”, shkruhej në vendimin e Apelit, të publikuar ditën e djeshme. Shkodranët kishin shpresë që ta fitonin çështje, por nuk ka ndodhur kështu. Pezullimi prej 4 javësh mbetet në fuqi për mbrojtësin.

I kuqi që mori ndaj Luftëtarit, i ka kushtuar rëndë lezhjanit. Ai protestoi dhe më pas ofendoi arbitrin dhe kaq ka mjaftuar që të kalojë në Disiplinë.

SHANSET PËR RIKTHIM

E megjithatë, shanset nuk janë shuar tërësisht. Dhe nuk bëhet fjalë që ta çojnë në KAS, pasi koha nuk premton dhe kostoja është sigurisht më e lartë. Lojtarit i jepet e drejta që të kthehet në fushë, vetëm pasi të mbyllet gjysma e dënimit. Pasi humbi Skënderbeun, do të jetë i detyruar që të mos luajë as me Kukësin këtë të diel.

Nëse kuqeblutë vendosin që të kalojnë 2 milionë lekë të vjetër në llogarinë e FSHF-së, do të fitonte të drejtën që të vihej në urdhrat e Hysen Dedjes për 180 minutat e fundit të sezonit. Duke parë rëndësinë e ndeshjeve dhe situatës që po kalon Vllaznia, nuk përjashtohet mundësia që të konvertohet gjysma e dënimit në vlerë monetare dhe Renato Malota të kthehet për Partizanin dhe Flamurtarin.

Vetëm për ta apeluar si çështje në Komisionin e Apelit, klubit i është dashur që të shpenzojë 1 milion lekë të vjetër, por nëse vendosin që ta konvertojnë në para gjysmën e dënimit, shtohen edhe 2 milionë (nga 1 milion për ndeshje) dhe i bie që “fatura” për ta pasur në dispozicion mbrojtësin Vllaznisë i shkon në 3 milionë lekë.

PANORAMASPORT.AL