AngliaU21 mposht me lehtësi Shqipërinë në “Loro Boriçi”

Shqipëria U-21 u mposht edhe në sfidën e gjashtë në grupin 3 eliminator, të vlefshmë për fazën kualifikuese drejt Europianit për 21-vjeçarë.

Në takimin e luajtur në “Loro Boriçi” të Shkodrës, Anglia U-21 fitoi pastër me shifrat 0-3, duke dominuar në lojë dhe rezultat.

Ishullorët zhbllokuan shifrat që në minutën e 22-të, me një gol mjaft të bukur nga talenti i Mançester Sitit, Fill Foden. Ai gjuajti direkt nga goditja e dënimit, duke e çuar topin në fundin e rrjetës.

Në të 36-tën, miqtë fituan një penallti, por topi i goditur nga Bruster u ndal në shtyllë. Gjithsesi, goli i dytë erdhi në minutën e 43-të. Galager goditi me të majtën nga hyrja e zonës, e topi përfundoi në cepin e djathtë të portës së mbrojtur nga Hoxha.

Edhe pjesa e dytë, pati të njëjtin refren. Anglia dominoi duke kontrolluar topin, teksa erdhi edhe goli i tretë nga Nelson në minutën e 92-të, ku brenda zonës u fut dhe bënte ç’të donte me mbrojtjen kuqezi. Ndërkohë, i pafuqishëm sulmi i Shpresave. Me këtë humbje, Anglia U21 shkon në 12 pikë në krye të grupit, ndërkohë mbetet në 5 pikë ekipi i drejtuar nga Alban Bushi, në vendin e katërt..