“Populli të vendosë për demokracinë”, aktorët njëzëri: Qytetarët ta çojnë në këmbë teatrin

Shpërndaje

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar ka vazhduar me protestat sensibilizuese pas shembjes se Teatrit Kombëtar. Ata kërkojnë rindërtimin e teatrit, siç ishte.

Shkodra është qyteti i dytë ku Aleanca është ndalur për mbledhjen e firmave, para Teatrit “Migjeni”.

Protestës i janë bashkuar qytetarë, aktivistë dhe aktorë të njohur, të cilët mbështesin kauzën e Aleancës për ndërtimin e teatrit ashtu siç ishte dhe po në të njëjtin vend.

Lexo edhe: “A jemi gjallë, a jemi në këmbë”, përlotet Zef Deda: Artistët janë fryma e një populli.

Aktorja Rita Gjeka gjatë fjalës së saj në protestën e organizuar ditën e sotme në Shkodër ka reaguar me kritika të ashpra ndaj kryeministrit Rama.  

“Unë ju shoh ju dhe kuptoj që jeni spektatori jonë. Përulem përpara qëndresës këtyre burrave dhe grave që mbrojtën teatrin edhe për ne. Edi Rama që duket si i zoti është burri më burracak sepse nuk ka qenë në gjendje të vendosë një firmë për prishjen e teatrit. Teatri Kombëtar është prishur pa firmën e tij, por vetëm me udhëzimet e tij, ai e di se do t’i vijë marrë nesër prej fëmijëve të vet me thënë që kam prish Teatrin. Iu shoftë fara Edi Ramës”, tha Gjeka.

Aktori Zef Deda me emocion është shprehur se teatri u shemb në mënyrën më vandale.

“Të nderuar motra dhe vëllezër shkodranë, artistë, nuk ka forcë në botë që mund ta luajë themelin e saj. Ata luajtën në mënyrën më vandale, më tradhtare sepse po të ishim ne, ju, artistë shkodranë që bëmë revolucionin në fillim, po të ishte trimi i fortë prej Gjirokastre, po të ishte vlonjati, korçari aty gjithë natën, nuk guxonin këta nën syzet e diellit natën të një oficeri ushtrie i zgjedhur aty apostafat për të mbrojtur të majtën, super komunista, të paedukatë.

Ajo mafie me të gjitha në strukturën e saj më e tmerrshme e shkatërroi këtë vend. E gjithë rinia jonë do të ikë nga këtu. Jo Gjirokastër, jo Shkodër, jo Elbasan, jo Durrës, Jo Tiranë. Mbaje fëmijën aty. Le ta çojmë në këmbë teatrin ta ruajmë pasi bëri histori për 70 vite.

437 vjeçe është salla e teatrit të Shekspirit, siç ka qenë para atyre viteve sepse e mbajnë në këmbë. E kam parë, ashtu është edhe sot. Edhe teatri në Vjenë ku ka luajtur i madhi Aleksandër Moisiu, e mbajnë në këmbë, i rikonstruktojnë.

Pse s’u mbaka në këmbë një sallë që ka gjithë gjakun e njerëzve që kanë punuar aty, mafia moniste do të përfitojë pistë. Çohu popull në këmbë se ta morën teatrin, ta thyen kulturën. Ju do Zefi fort kam punu me shpirt. Aleanca për Teatrin të mbështetet, populli të vendosi demokracinë.

 Me Monizmin pluralist duam të shkojmë në Europë, por s’shkojmë dot. A jemi gjallë, a jemi në këmbë, apo të shkojmë të pimë nga një gotë raki e të themi hajt mo ça më duhet kjo punë. Le të ndërtojmë jetën e fëmijë tanë. Artistët janë fryma, shpirti jeta e një populli, rroftë arti”, u shpreh aktori.

Ndërkohë regjisori Robert Budina gjatë fjalës së tij u shpreh se gjatë gjithë kësaj kohë është përdorur gjuha e kulturës dhe jo e armës, siç u bë në momentin e shembjes së Teatrit Kombëtar.

Më tej ai shtoi se Teatri Kombëtar ishte dëshmori i parë simbolik i demokracisë ndërsa shtoi se rikthimi i teatrit ka të bëjë me rikthimin e simbolit të protestës dhe jo me çmendurinë e artistëve.

Pjesë nga fjala e aktorit:

“Ne kemi 2 vjet e tre muaj që luftojmë për të mbrojtur kulturën dhe trashëgimin dhe kuptuam se me problemet që kishte shoqëria shqiptare ishte e pamundur të mbronim teatrin, prandaj dhe sulmi makabër i qeverisë ndodhi sepse ne themi  thellësi të mangët në demokracinë shqiptare. Vetëm kultura mund të ishte termometri i një demokracie që nuk funksionon.

Ne nuk kemi përdoru kurrë një gjuhë përçarëse, por gjuhën e kulturës, artit dhe fjalës dhe jo anës. Ka një sensibilizim të jashtëzakonshëm për këtë që ka bërë kryeministri shqiptar.

Teatri kombëtar ishte dëshmori i parë simbolik i demokracisë. Rikthimi i teatrit nuk ka të bëjë me çmendurinë e dy artistëve, por me rikthimin e simbolit të protestës duke e lënë aty do i tregojmë brezave se ne fitojmë mbi pushtetet.

Ne kemi nevojë për ju dhe kemi nevojë që të firmosni. Kemi hapur një çështje juridike pasi kemi një tentativë për vrasje nga kryeministri shqiptar i cili filloi të shembte godinën në momentin kur ne ishim brenda. A jeni dakord që të vriten artistët e vendit tuaj. Ju lutem na ndihmoni që t’i heqim atyre të gjitha alibitë se jemi të përçarë.

Ne duhet t’i kërkojmë llogari kujtdo që vjen në pushtet. Kjo është detyra e qytetarit. Ju lutem formoni qytetari , mendimin e mençur, mendimin opozitar sepse vetëm atëherë do fitojmë dhe politika do jetë një mjet në duart e qytetarëve. Ndaj kjo është detyra jonë më e vështirë, dhe prandaj jemi në mes të katër rrugëve. Hetimi do të pasohet me hetim ndërkombëtar”,  tha Budina.

Shpërndaje