Pas shumë komemtesh, Alban Xhaferi, presidenti i basketbollit të Vllaznisë ka folur qartë për projektin e tij për të marrë drejtimin edhe të klubit të futbollit Vllaznia. Ai ka qenë i ftuar në emisionin “Sport Arena” të gazetarit Gjergj Kola në TV Rozafa, ku ka folur me detaje për projektin e tij. Më poshtë, mund të ndiqni edhe të gjitha përgjigjet e pyetjeve të bëra:
– Z. Xhaferi prej disa ditësh jeni shndërruar në njeriun kryesor të medias por edhe për tifozët në Shkodër, pikërisht
pas lajmit se mund të jeni edhe presidenti i futbollit të Vllaznisë. Si po e përjetoni këtë gjë?
– Të them të drejtën ka disa ditë që qarkullon një gjë e tillë. Ka qenë një indicie, një shtysë e tifozëve të cilët na kërkonin pse nuk marrim edhe Vllazninë e futbollit. Normalisht unë jam pjesë e biznesit, por edhe e tifozëve sepse e ndjek këtë skuadër prej shumë vitesh.
Në këtë aspekt, nuk mund ta fsheh dëshirën time për të marrë drejtimin e klubit të futbollit Vllaznia ndërsa pjesa e tjetër është kuptohet, media, rrjetet sociale që duke shpresuar për gjëra
pozitive, janë munduar ta mbajnë këtë çështje në qendër të vëmendjes. Deri tani nuk ka asgjë më tepër sesa thjesht një çështje dëshiret, ndërsa pjesa tjetër pastaj mund të jetë një proces diskutimesh me drejtuesit e Bashkisë shkodër që janë edhe të zotët e klubit.
– Meqë është prezantimi juaj i parë në një profil disi ndryshe, mund të dimë kush është Alban Xhaferi?
– Jam 41 vjeç, i martuar dhe babai i tre fëmijëve. Kam përfunduar studimet e larta në dëgën Ekonomik në Universitetin
“Luigj Gurakuqi” të Shkodrës. E kam filluar biznesin që në vitin 2001 duke prodhuar cd e dvd dhe më njohin në fakt
shkodranët për aktivitetin që kam bërë këtu.
Pastaj në vitin 2007 kam ndërtuar një biznes i cili përfaqëson një kompani ndër më të mëdhat në botë, FUJI FILM e cila merret me paisjet mjekësore dhe ato të shtypshkrimit. Ne e përfaqësojmë këtë kompani jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, biles kemi aktivitet edhe në Serbi e Kroaci. Ka disa vite që jemi në këtë fushë të biznesit dhe fokusi ynë kryesor është industria e imazhit, ajo e paisjeve mjekësore dhe farmaceutike dhe ajo e arteve grafike. Ndërsa së fundi jemi fokusuar tashmë edhe në fushën e sportit.
– Alban Xhaferi është presidenti i kësaj kompanie?
– Unë e drejtoj kompaninë dhe jam me aksione të plota 100 %, madje nuk është vetëm një kompani por tre të tilla sepse
janë të ndara sipas divizioneve dhe produkteve. Kemi një filial në Kosovë aktualisht dhe shtrirje në disa vende.
– Janë kompani me një xhiro të lartë?
– Pjesa e xhiros është publike në QKR. Di të them se është një biznes i shëndoshë, i maturuar në fazën e vet dhe
gjithmonë në kërkim të më të mirës. Me veprimtarinë që kemi, mendoj se jemi gjithnjë në kërkim të bizneve të tjera të
cilët kanë të ardhura që xhirojnë. Ky është edhe plani që kemi edhe për Vllazninë me të cilin mund të kemi një projekt 3-5 vjeçar.
Këtë projekt e kemi të ndërtuar në tre elementë: I pari, ai i ndërtimit të një skuadre pretendente për titull dhe Kupat e Euroëps, i dyti, zhvillimi i Akademisë sepse dihet çfarë roli ka ajo në Shkodër dhe i treti, marketingu me të cilin mund të bëjmë hapa përpara. Kam bindjen e plotë se duke punuar fort në këto tre elementë, Vllaznia do të kthehet shumë shpejt në një shoqëri rentabël, pra të funksionueshme në bazat e veta ekonomike.
– Keni filluar të bëni planet për futbollin, por a do të hiqni dorë nga basketbolli?
– Absolutisht që jo. Projekti i basketbollit është afatgjatë dhe tashmë është prezantuar në qytetin e Shkodrës si një
model, ndonëse brenda një kohë të shkurtër.
– Tek basketbolli ndoshta ka filluar xhelozia sepse po ua merr futbolli presidentin, apo jo?
– Ngacmime të tilla na kanë ardhur edhe neve, por e përsëris që projekti i basketbollit është afatgjatë.
– Thatë që deri tani ideja për të marrë klubin e futbollit është thjesht dëshirë. Keni në plan të trokisni një ditë në zyrat e Bashkisë Shkodër për të shpalosur projektin tuaj, apo prisni që t’iu thërrasin?
– Shiko, unë kam marëdhënie shumë të mira me Bashkinë Shkodër dhe me kryetaren e Bashkisë. Besoj se do kemi një takim
miqësor ku mund të shkëmbejmë disa ide dhe pastaj shumë gjëra do ia lëmë kohës. Ka rëndësi shumë mënyra si do të
arrijmë tek finalja. Nëse ka shumë “pse” ose gjëra të pasqaruara, kam frikë se do të ecim gjithmonë në të njëjtën
qasje siç ka ecur deri tani. Fillimi është shumë i rëndësishëm sepse nëse konfigurohet dhe sqarohet që në fillim roli
i gjithësecilit, duke prezantuar një plan do të mbajmë përgjegjësi e atij plani.
– Një nga problemet kryesore të Vllaznisë së viteve të fundit ka qenë një borxh i konsiderueshëm i saj ndaj organeve
tatimore. Ju tremb një gjë e tillë, apo mund të gjendet një zgjidhje?
– Kam hyrë e kam parë një raport vlerësimi që është bërë tek Vllaznia nga një kompani auditi. Bilanci i klubit sot
është shumë negativ dhe në gjuhën e biznesit nëse hyn për të blerë një kompani, nuk mund të blesh një kompani që ka
shumë borxhe dhe ka asete negative. Kjo mund të jetë pjesë e diskutimit me Bashkinë sepse ideja është se nëse
fillohet, të jetë një fillim i ri, me kushte të reja dhe me konfigurim të ri.
– Keni një projekt të qartë se si mund ta trasformoni këtë skuadër, nga një skuadër pretendente për të mos rënë nga
kategoria, në pretendente për fitimin e trofeve?
– Nuk mund të flas për gjana teknike në këto momente sepse është thjesht dëshirë deri tani. Në momentin që pastaj mund të kemi një takim në kuadrin e diskutimeve të mëtejshme të këtij projekti, aty pastaj mund të dalim në prezantimin e një plani konkret. Siç e thashë, bazat do të hidhen në tre drejtime, ndërtimi i një skuadre pretendente, një Akademi e mirë dhe marketing i fuqishëm.
– Për të ndërtuar një skuadër pretendente në fakt, ju e provuat edhe tek basketbolli, por tek futbolli sidomos, duhet shumë investim. Janë paratë gati për ta bërë këtë financim nëse jepet OK për këtë bashkëpunim me Bashkinë?
– Në momentin kur të gjenden modalitetet e duhura dhe unë të marrë përsipër një projekt të tillë, normalisht që do ta marrim me baza, duke u munduar me realizu maksimalisht pritshmëritë që kanë ndaj nesh. Përveç dëshirës, duhet ulja në tavolinë, diskutimet e hapura dhe pastaj implementimi është faza më e rëndësishme. Tek basketbolli kemi dhënë një model si mund të jemi të suksesshëm.
– Kur flisni, përmendni shpesh fjalën “ne”. Kjo do të thotë se ju nuk jeni vetëm në këtë projekt? A ka edhe njerëz të tjerë pas jush?
– Mua më pëlqen puna në grup dhe ideja e punës në grup lidhet me shumë gjëra, me ndërtimin e një plani, por edhe me aspektin financiar.
– Keni edhe një staf tuajin të cilin do ta angazhonit tek Vllaznia e futbollit?
– Stafi është por kuptohet që ai do të vijë duke u zgjeruar nëse bëhet fjalë për një plan kaq serioz. Jam gjithmonë me idenë se njerëzit i kemi këtu dhe absolutisht nuk mund të them se njerëzit aktualë që janë në klub kanë punuar keq. Ndoshta kanë qenë modalitetet që i kanë sjellë deri këtu dhe nuk jemi me idenë se nëse nesër vjen Albani, do të bajmë reformë. Por duke bërë secili ashtu si duhet punën e tij, besoj se të gjithë bashkë mund t’ia dalim ta realizojmë këtë projekt.
– Sa kohë do iu duhej për të ndërtuar një Vllazni ndryshe?
– E thashë, me një plan 3-5 vjeçar mund të arrijmë aty ku dëshirojmë, por që në fillim ne do të ecim me objektiva të larta.
– Kjo periudhë aktuale kur ky kampionat po shkon drejt fundit, a është e përshtatshme për të nisur projektin tuaj, gjithnjë nëse merret aprovimi?
– Po është e vërtetë se kjo është periudhë ideale sepse ne do të ecim me plane konkrete për ndërtimin e skuadës për sezonin e ri.
– Pra, jeni në pritje të realizimit të këtij projekti për të qenë në krye të futbollit shkodran?
– Besoj se si çdo shkodran, do të dëshiroja të bëja një gjë të mirë për futbollin e këtij qyteti, për Vllazninë.
– Ditët e fundit, tifozët e kanë mirëpritur idenë e ardhjes tuaj në krye të Vllaznisë. Sa ju jep shtysë kjo gjë?
– E thashë edhe në fillim se shtysa për këtë projekt janë tifozët dhe i garantoj se do të punojmë bashkë me to për ta realizuar atë ashtu si duhet. Shpresoj që edhe Qeveria të miratojë një ligj ashtu si duhet për sportin që të ofrojë edhe më shumë biznesin me sportin. shkodrasport.com