Nëpërmjet një foto-albumi të postuar në rrjete sociale, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Besa Shahini ka publikuar disa foto nga shkollat duke nënvizuar se ato janë gati për të mirëpritur maturantët ditën e hënë.
Rreth 31 mijë maturantë rikthehen të hënën nëpër shkolla duke ndjekur rregulla shumë strikte të distancimit social dhe mbajtjes së higjienës.
Në çdo shkollë do të ketë sinjalistikë të brendshme e të jashtme për orientimin e nxënësve. Për secilën bankë do të ketë dezinfektantë dhe do të qëndrojë vetëm një nxënës, teksa bankat në klasë janë të vendosura në mënyrë të atillë që garantojnë distancimin fizik mes nxënësve e mësuesve.
Ndër të tjera, nëpër shkolla do të jenë të afishuara gjithashtu postera që lidhen me distancimin social, rregullat e qëndrimit në shkollë, higjienizimin, kujdesin që duhet treguar për larjen e duarve etj.