
Çmimet e naftës kanë rënë ndjeshëm në sesionin e parë të javës, pasi Irani njoftoi se do të pezullojë të gjitha sulmet, për sa kohë që një armëpushim me Shtetet e Bashkuara mbetet në fuqi, duke larguar përkohësisht shqetësimet e dy javëve të përshkallëzimit të konfliktit.
Nafta Brent e Londrës për shtatorin, që është bençmarku global, ra me 6% në rreth 90.8 dollarë për fuçi. Ndërsa nafta bruto amerikane, po për shtatorin ra me mbi 5.5%, pranë 84 dollarëve për fuçi.
Irani ka shprehur vullnetin se do të ndalojë sulmet, për sa kohë që edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës heqin dorë nga operacionet e tyre, raportoi Reuters të dielën, duke cituar një zyrtar të lartë iranian. Këto hapa pozitivë vijnë pas vendimit të Uashingtonit për të pezulluar fushatën e bombardimeve, pasi këshilltarët e Presidentit Donald Trump paralajmëruan se ushtrisë po i mbaronin objektivat dhe ngritën shqetësime në lidhje me pakësimin e rezervave të armëve të Shteteve të Bashkuara.
Sipas Reuters, zyrtari iranian tha se logjika e Teheranit është “sulm për sulm”: nëse sulmet ndalen, edhe Irani do të ndalojë operacionet e tij. Ky mesazh i është përcjellë tashmë Shteteve të Bashkuara. Ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, Mike Waltz, deklaroi se Trump kishte zgjedhur të ndalonte sulmet ajrore, për të lejuar që përpjekjet diplomatike të vazhdonin.
Në anën tjetër, analistët paralajmërojnë se, çmimet më të larta të naftës kanë kontribuar në rritjen e pritshmërive që Rezerva Federale mund të detyrohet të ndjekë një politikë monetare shtrënguese, për një kohë më të gjatë. Megjithatë, pritjet për inflacionin kanë mbetur relativisht të moderuara, pavarësisht rritjes së çmimeve të energjisë.
Për këtë arsye, zyrtarët e Rezervës Federale do të shkojnë në takimin mbi politikat monetare këtë javë, duke u përballur me një rritje të presioneve mbi çmimet, që mund ta bëjnë akoma më të vështirë vendimin për të mos ndryshuar normat e interesit, apo për ti rritur ato. Presioni është akoma më i madh për shkak të investimeve shumë të mëdha në inteligjencën artificiale dhe vendimit të administratës së Donald Trump për të aplikuar tarifa të reja ndaj produkteve të importit.




