Shqipëria mbetet pas rajonit për cilësinë e ujit të pijshëm, Mali i Zi 25 pikë përpara…

Shpërndaje

hqipëria renditet e 55-ta nga 172 vende në Indeksin e Performancës Mjedisore (EPI) të Universitetit Yale për vitin 2024, me një rezultat prej 69.6 pikësh për cilësinë e ujit të pijshëm, praktikisht identik me Rumaninë dhe pak para Maqedonisë së Veriut (69.4), por larg standardit që vendet e rajonit synojnë të arrijnë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Krahasimi më i mprehtë vjen nga fqinji që Brukseli e përdor shpesh si pikë referimi për Shqipërinë në negociatat e anëtarësimit: Mali i Zi, me 95.2 pikë, renditet i 19-ti në botë. Diferenca prej 25.6 pikësh mes dy vendeve me kalendar krahasues aderimi është domethënëse pikërisht sepse cilësia e ujit të pijshëm figuron si tregues teknik në Kapitullin 27 (Mjedisi) të negociatave, një kapitull ku përparimi shqiptar mbetet historikisht i ngadaltë krahasuar me atë malazez.

Brenda rajonit, Shqipëria mbetet pas Serbisë (81.0), Kroacisë (80.8), Bosnjë-Hercegovinës (78.7) dhe Bullgarisë (73.2), ndërkohë që Greqia shënon maksimumin prej 100 pikësh.

Problemi është rrjeti, jo burimi

Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë 2024 e lidh drejtpërdrejt këtë performancë me shkaqe institucionale: sektori i ujësjellës-kanalizimeve vuan nga fragmentim i theksuar institucional, mungesë kontrolli financiar dhe lidhje të paligjshme që sjellin humbje të mëdha uji. Vetë cilësia e ujit të pijshëm, sipas të njëjtit burim, komprometohet në praktikë nga infrastruktura e amortizuar dhe depozitat private të pamirëmbajtura, pavarësisht se mbrohet formalisht nga rregulloret e vitit 2016.

Numrat pas humbjeve financiare

Pasoja financiare e këtij modeli po bëhet e dukshme edhe në nivel lokal. Ujësjellësi Rajonal Dibër e mbylli 2025-n me rreth 66 milionë lekë humbje, një përkeqësim prej rreth 83% krahasuar me 2024-në, në një situatë ku vetëm kostoja e pagave e stafit tejkalon të ardhurat totale nga shërbimi i ujit. Modeli përsëritet, me variacione, në disa nga shoqëritë e reja rajonale të krijuara pas reformës së 2022-shit, duke ngritur pyetje mbi efikasitetin real të konsolidimit institucional të premtuar.

Kombinimi i këtyre të dhënave krijon një hartë të qartë: Shqipëria nuk ka thjesht një problem “cilësie uji” në kuptimin teknik, por EDHE një problem strukturor të qeverisjes së sektorit, ku humbjet fizike të ujit dhe humbjet financiare të kompanive përforcojnë njëra-tjetrën. Për sa kohë 6 nga çdo 10 litra ujë të prodhuar nuk gjenerojnë asnjë të ardhur, investimet publike në infrastrukturë rrezikojnë të mbeten të pamjaftueshme për të mbyllur hendekun prej 25 pikësh me Malin e Zi,apo për të përmbushur standardet që Kapitulli 27 i negociatave me BE-në do të kërkojë në vazhdim.

Cilësia e ujit të pijshëm është matur përmes Indeksit të Performancës Mjedisore (Environmental Performance Index – EPI) të Universitetit Yale. Ky indeks ndjek 40 tregues performance, ndër ta edhe “Sanitizimi dhe uji i pijshëm”, me qëllim identifikimin e vendeve me performancën më të mirë mjedisore në botë. Treguesit shtesë që ndjek EPI-ja përfshijnë shëndetin mjedisor, zbutjen e ndryshimeve klimatike, cilësinë e ajrit, menaxhimin e mbeturinave, biodiversitetin etj./Business Magazine Albania.

Shpërndaje