Arratiset nga arresti shtëpiak Hasan Ferracaku, i dyshuar për ngjarjen e Velipojës me 4 viktima…

Shpërndaje

Hasan Ferracaku, një nga personat e dyshuar në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Velipojë 5 vite më parë, është larguar nga banesa e tij në Shkodër, ndonëse ndodhej nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe ruhej 24 orë nga policia.

Sipas informacioneve, ai ishte nën mbikëqyrje policore prej një periudhe të gjatë, por ka arritur të shmangë kontrollin dhe të largohet në drejtim të paditur. Deri tani nuk ka detaje zyrtare mbi mënyrën se si është realizuar largimi i tij.

Ferracaku është i përfshirë në hetimet që lidhen me ngjarjen e 26 qershorit 2021 në Velipojë, ku pas një konflikti mes dy familjeve për një aktivitet në zonën e plazhit, situata degradoi në përdorimin e armëve të zjarrit me pasoja të rënda.

Në atë ngjarje humbën jetën katër persona dhe u plagosën dy të tjerë. Hetimet e prokurorisë janë bazuar në dëshmi të ndryshme dhe pamje filmike për të rindërtuar dinamikën e konfliktit.

Çështja vijon të jetë ende në gjykim dhe nuk ka një vendim përfundimtar mbi përgjegjësitë penale të të përfshirëve.

Shpërndaje