
Raporti i BE-së rrëzon propagandën, Velipoja nga “E shkëlqyer”, sot në kufijtë minimalë të higjienës.
Suksesi imagjinar nga menaxhimi në turizëm dhe i plazheve të pastra është hedhur poshtë nga shifrat zyrtare të Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA) të cilat tregojnë një realitet të hidhur dhe alarmant për perlën e Shkodrës. Deri në vitin 2022, Velipoja rreshtohej me krenari në hartën europiane me notën maksimale “Excellent” për cilësinë e ujit në të gjitha pikat e saj. Sot, të dhënat zyrtare të vitit të fundit të monitorimit konfirmojnë se dy nga stacionet kryesore të plazhit kanë rënë drastikisht në nivelin “Sufficient” – kufiri i fundit minimal përpara se uji të shpallet zyrtarisht i ndotur dhe i rrezikshëm për shëndetin.
Kjo rënie e lirë dhe e frikshme për dy vite është pasojë e drejtpërdrejtë e paaftësisë menaxhuese dhe e premtimeve të mbetura në letër. Rrjeti i kanalizimeve dhe impiantet e trajtimit të ujërave të zeza lihen në harresë përballë mbingarkesës së sezonit. Turizmi nuk mbahet me fasada e postime në facebook, por me investime reale në infrastrukturën nëntokësore që garanton shëndetin e fëmijëve tanë dhe të pushuesve.
Shkodra ka nevojë urgjente për një model të përgjegjshëm që nuk e kthen pasurinë tonë natyrore në një rrezik mjedisor.






