
Rifitimi i lejes së drejtimit mbetet një proces sfidues për drejtuesit e mjeteve që duhet t’i nënshtrohen ritestimit.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor, rezultatet e sesionit të fundit dëshmojnë se kalimi i testimit kërkon përgatitje serioze dhe njohuri të plota mbi rregullat e qarkullimit rrugor. Sipas të dhënave, në sesionin më të fundit të ritestimit, vetëm 7 kandidatë arritën të kalojnë me sukses provimin, nga 43 persona të riregjistruar, duke reflektuar nivelin e lartë të kërkesave për rifitimin e lejes së drejtimit.
Ndërkohë, që nga nisja e fushatës në qershor të vitit 2022 shifrat tregojnë se nga 3.402 kandidatë të riregjistruar, vetëm 470 kanë arritur të rifitojnë lejen e drejtimit, ose rreth 13.8% e totalit. Ritestimi është një mekanizëm i rëndësishëm për rritjen e sigurisë rrugore dhe për uljen e numrit të aksidenteve të shkaktuara nga shkeljet e rregullave.
Nga ana tjetër, këto shifra tregojnë se procesi i ritestimit synon të rikthejë në rrugë vetëm drejtues të përgatitur dhe të ndërgjegjshëm, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe uljen e aksidenteve.
DPSHTRR u bën thirrje kandidatëve të përgatiten, duke shfrytëzuar simulimet online dhe aplikacionet e dedikuara për testimin teorik, për të rritur mundësitë e suksesit në provim.
Gjithashtu, vetëm drejtues të mirinformuar, të ndërgjegjshëm dhe respektues të ligjit mund të kontribuojnë në rritjen e sigurisë në rrugët e vendit, thekson Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor.




