
Gazeta satirike parisiene “Charlie Hebdo” (e cila u sulmua në vitin 2015) ka publikuar një karikaturë ku trajneri i kombëtares franceze, Didier Deschamps, në vend që të ngrejë Kupën e Botës, mban lart kupën me hirin e nënës së tij, e cila ndërroi jetë tre ditë më parë.
Presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Diallo, e cilësoi këtë si “të papërshtatshme ndaj një njeriu në dhimbje”.
Në Francë ka shpërthyer një debat i fortë pas kësaj karikature të “Charlie Hebdo”. Gazeta e njohur satirike ka paraqitur Charlie Hebdo duke ironizuar trajnerin Didier Deschamps, i cili mban një urnë funerali të nënës së tij, me mbishkrimin “Deschamps sjell në shtëpi Kupën”.
Federata Franceze e Futbollit dhe disa politikanë kanë reaguar duke e mbrojtur trajnerin e kombëtares, i cili së fundmi humbi nënën e tij, Ginette Deschamps, dhe është rikthyer në grumbullimin në Boston pasi mori pjesë në ceremoninë private të varrimit në Francë.
Faktet
Në stilin e saj tradicional të diskutueshëm, revista satirike “Charlie Hebdo” ka komentuar lajmin e hidhur për Deschamps në një mënyrë të konsideruar me shije të keqe, madje duke e vendosur në faqen e parë.
Titulli i karikaturës ishte: “Didier Deschamps sjell në shtëpi Kupën”, ku ai paraqitej duke mbajtur një urnë me mbishkrimin “Mami”. Një imazh që ka shkaktuar reagime të forta dhe është cilësuar si shumë i rëndë.
Reagimet
Reagimet e forta nuk vonuan, veçanërisht nga politika.
Deputeti i LFI-së, Antoine Léaument, shkroi në X: “Kjo karikaturë nuk është qesharake. Duhet të jesh i pandjeshëm ndaj dhimbjes së të tjerëve për ta publikuar. Didier Deschamps nuk është thjesht një figurë publike, por një djalë në zi. A është shumë të kërkosh pak respekt?”
Bachir Nehar, përgjegjës për materialet teknike në Federatën Franceze të Futbollit, reagoi në Instagram: “Karikaturë e neveritshme. Do të mbroj gjithmonë lirinë e shprehjes, por kjo është një ide e shpifur dhe, për mua, një mizori e panevojshme.”
Edhe presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Philippe Diallo, u shpreh për “Journal du Dimanche”: “Kjo karikaturë më tronditi. Ne të gjithë ishim Charlie pas sulmit të vitit 2015, por kjo është e papërshtatshme ndaj një njeriu në dhimbje. Federata mbështet lirinë e shprehjes, por kjo karikaturë është e pahijshme dhe e padrejtë.”




