
Nga Auron Tare
“Arroganca ndaj Trashëgimisë Kulturore dhe Natyrore””
Si u planifikua copëzimi i Parkut Kombëtar të Butrintit me bekimin e Kryeministrit të Shqipërisë
Mbrojtja e Qytetit Antik të Butrintit është rezultat i një përpjekjeje shumëvjeçare që ne fillimet e viteve 1990, kur zona përreth qytetit antik kërcënohej nga projekte për resorte turistike. Pas vitit 1997, me mbështetjen e ish Ministrit të Kulturës Edi Rama, u propozua krijimi i një zone të mbrojtur përreth Butrintit. Ky propozim u miratua dhe zona u shpall Park Kombëtar.
Statusi i Parkut Kombëtar krijoi bazën për forcimin e mbrojtjes së Butrintit dhe konsolidimin e tij si një pasuri me rëndësi botërore. Në vitin 2000, UNESCO e përfshiu Parkun e Butrintit në Listën e Trashëgimisë Botërore. Më pas, laguna e Butrintit, Liqeni i Bufit, Alinura dhe ekosistemet përreth fituan mbrojtje ndërkombëtare edhe përmes Konventës Ramsar, për shkak të rëndësisë së tyre për shpendët migratorë dhe biodiversitetin unik të zonës.
Çfarë ndodhi në vitet 2020–2022?
Në vitet 2020–2021, Ministria e Kulturës drejtuar nga Mirela Kumbaro dhe më pas Elva Margariti si dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillimin (AADF) hartuan Planin e Menaxhimit të Integruar të Butrintit. Ky plan u financua nga AADF por pa pjesmarjen e asnjë specialisti shqiptar të trashëgimisë.
Rezultati ishte një ndryshim rrënjësor në mënyrën e administrimit dhe mbrojtjes së Butrintit.
Më 26 janar 2022, me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 59, u miratua ndryshimi i statusit dhe sipërfaqes së Parkut Kombëtar të Butrintit. Si pasojë, sipërfaqja e parkut u reduktua nga 9,424.4 hektarë në 8,622.2 hektarë, duke nxjerrë jashtë mbrojtjes rreth 802 hektarë territor.
Ky vendim u justifikua nga autoritetet si një riorganizim administrativ i kufijve të parkut. Megjithatë deri më sot mungon argumentimi se përse duhej reduktimi i zonës së mbrojtur. Reduktimi nuk u mbështet në argumente të mjaftueshme shkencore dhe se i hapi rrugën presioneve të reja zhvillimore në një territor që për dekada ishte konsideruar pasuri kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ndërkohë u ndryshua forma e administrit ku Qyteti Antik u la ne administrimin e AADF ndërsa pjesa prej 800 ha u hap për ndërtim. Ky vendim kaloi edhe në Parlament me ndihmën e kukullave parlamentare si dhe u firmos nga Presidenti 😂😂😂😂.
Konflikti i interesit
Një nga aspektet më problematike të procesit ishte roli i Ministres Kumbaro dhe i AADF-së të cilët bashkëpunuan për të dëmtuar strukturën e krijuar prej dekadash në ruajtjen e kësaj Pasurie Botërore.
Mirala Kumbaro udhëhoqi të gjithë procesin e copëzimit të Parkut Kombëtar si dhe mbrojti në publik heqjen e një pjese të Parkut në dobi të ndërtuesve që tashmë kanë krijuar një qytet në afërsi të Mureve Antike të Demës dhe Manastirit të Shen Gjergjit.
AADF
financoi hartimin e Planit të Menaxhimit të Integruar,
mbështeti modelin e ri të administrimit dhe reduktimin e Zonës së Mbrojtur.
U përfshi më pas në Fondacionin e Menaxhimit të Butrintit, së bashku me Ministrinë e Kulturës ku nuk mund të mungonte edhe anti shqiptari britanik Richard Hodges.
Pra, i njëjti institucion që financoi planin që rekomandoi ndryshimet, u bë më pas pjesë e strukturës që do t’i zbatonte ato. Kjo përfshirje ka ngritur shqetësime serioze mbi transparencën e procesit.
Njëkohësisht, administrata tradicionale e Parkut Kombëtar u dobësua, ndërsa menaxhimi i pasurisë kulturore kaloi në një strukturë të re fondacioni. Për shumë specialistë dhe aktivistë të trashëgimisë, ky ndryshim përfaqëson një largim nga modeli i administrimit publik të një pasurie që i përket të gjithë shqiptarëve.
Pasojat në terren
Sot, mjafton të vizitosh zonën për të parë presionin në rritje të zhvillimit urbanistik në territoret përreth Butrintit. Ndërtimet e reja dhe zgjerimi i zonave turistike kanë shtuar shqetësimet se reduktimi i kufijve të parkut nuk ishte thjesht një ndryshim teknik, por pjesë e një vizioni që favorizon zhvillimin ndërtimor në dëm të mbrojtjes afatgjatë të trashëgimisë natyrore dhe kulturore.
Shqetësimi kryesor është se Butrinti rrezikon të rrethohet gradualisht nga komplekse turistike, vila dhe struktura të tjera urbane, duke humbur karakterin unik që e bëri një nga pasuritë më të rëndësishme të Mesdheut dhe të botës.
Një pyetje që mbetet pa përgjigje
A ishte reduktimi i Parkut Kombëtar të Butrintit një vendim i bazuar në interesin publik dhe mbrojtjen e trashëgimisë, apo një hap që i hapi rrugën zhvillimeve private në një nga zonat më të mbrojtura të Shqipërisë?
Kjo është një pyetje që meriton transparencë të plotë, debat publik dhe përgjigje të qarta nga ata që e hartuan, e mbështetën dhe e firmosën këtë proces veçanërisht Kryeministri i Shqipërisë.







