
Kontrollet për rritjen e sigurisë në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Shkodër vijojnë edhe gjatë ditëve të fundit.
Sipas njoftimit zyrtar, aksioni i kontrollit është zhvilluar në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes së Sistemit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale dhe nën koordinimin e drejtuesve të institucionit, si edhe të Shefit të Policisë së burgut.
Gjatë verifikimeve të ushtruara në godinën nr. 2, janë zbuluar tre aparate celularë të fshehur në ambiente të ndryshme. Një telefon i markës “Xiaomi” është gjetur në zonën e dusheve, ndërsa në lavanderi janë sekuestruar një aparat “Nokia”, një “iPhone” dhe dy fisha karikimi.
Pas konstatimit të rasteve, janë përpiluar procesverbalet dhe raportet përkatëse për bllokimin e sendeve të ndaluara, ndërsa Agjencia kompetente është vënë në dijeni për procedurat e mëtejshme.




