
Vllaznia e nis me humbje aventurën në “Final 4”, teksa u mposht 0-2 nga Dinamo City në “Air Albania”. Kuqeblutë hynë në fushë me objektivin për të marrë fitoren që do t’i mbante fort në garën për titullin, por nuk arritën të konkretizonin rastet e krijuara.
Pjesa e parë ishte e vakët për të dy skuadrat, me shumë pak raste të pastra dhe vetëm nga një goditje në kuadrat për secilën palë. Edhe në fraksionin e dytë, Vllaznia pati më shumë kontroll territorial, por pa efikasitet para portës.
Momenti vendimtar i takimit erdhi në minutën e 69-të, kur Bajrami u ndëshkua me karton të kuq, duke i lënë shkodranët me 10 lojtarë. Dinamo përfitoi shpejt nga superioriteti numerik dhe në minutën e 77-të Malomo kaloi kryeqytetasit në avantazh, pa e festuar golin ndaj ish-ekipit të tij.
Trajneri Thomas Brdarić provoi të ndryshojë ritmin e lojës me disa zëvendësime, por pa sukses. Në minutat shtesë, pas një daljeje të gabuar të portierit Pohls, Dinamo goditi sërish në kundërsulm me James, duke vulosur rezultatin 0-2.
Kështu, Vllaznia regjistron humbjen e parë në këtë fazë finale dhe tashmë pret me interes sfidën mes Egnatias dhe Elbasanit, që luhet të dielën.




