Mbi 100 mijë automjete nuk kanë siguracion

Shpërndaje

Mbi 100 mijë mjete motorike, që përbëjnë 20% të numrit të makinave nuk janë të siguruara. Ky numër ka ardhur në rritje së fundi edhe nga bllokimi i qarkullimit të qytetarëve me makina, me përjashtim të subjekteve të lejuara.

Në një intervistë me Skype, kreu i Shoqatës së Siguruesve, Edvin Libohova thotë se aktualisht tregu ka pësuar një tkurrje për shkak të rënies së qarkullimit të mjeteve, ndërsa rënie ka edhe sigurimi i pronave të patundshme.

“Ka patur rënie të kërkesës për të bërë sigurimin motorik dhe kjo lidhet me një pjesë që nuk kanë nevojë se nuk lëvizin, por një pjesë e kanë rinovuar”, kryetar i Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë.

Libohova sqaron se kërkesat për shtyrje të afatit të policës së sigurimit për disa muaj për automjetet e siguruara nuk mund të diskutohet, pasi polica e sigurimit është një kontratë mes palëve, por ai thotë se negociata të tilla mund të bëhen me vullnetin e të dy palëve.

“Kompanitë e sigurimit kemi parë që kanë rinegociuar me klientin në momentin që është bërë risigurimi, por kjo është një marrëdhënie normale me klientin. Nuk ka sens ligjor për të bërë kthim të policës apo shtyrje të saj”.

Kompanitë e sigurimit bëjnë thirrje që pronarët e automjeteve të mos shfrytëzojnë këtë situatë për të mos siguruar mjetin, pronën apo jetën, ndërsa kanë përshtatur punën duke ofruar shërbim postar për dërgimin e kontratës së sigurimit. Në këto kohë tregu ka patur një tkurrje të të ardhurave, ndërsa deri tani vijohet dëmshpërblimi për dëmet e shkaktuara nga tërmeti, të cilat kanë arritur një shifër prej 30 milionë eurosh.

Tv Klan

Shpërndaje