Shkarkohet nga detyra prefekti i Shkodrës Çesk Millja. Këshilli i Ministrave firmosi sot lirimin nga detyra të prefektit të qarkut me motivacionin e mungeses se vendimmarrjes për menaxhimin e situatës së epidemisë së koronavirusit COVID-19.
Shkodra renditet qyteti i dytë, pas Tiranës ku përhapja e infeksionit ka qenë e madhe. Deri sot atje janë shënuar 53 raste.
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj njoftoi vendimin e sotem te Këshillit te Ministrave: “Nëse kemi shprehur rezerva për gjëndjen në Shkodër nuk do të thotë që të gjitha vërejtjet janë adresuar bashkisë. Në mënyrën si kanë apo nuk kanë funksionuar gjërat në Shkodër, kanë ndikimin e tyre edhe drejtues të caktuar të degëve territoriale dhe prefekti i qarkut si përfaqësuesi më i lartë atje.
Për fat të keq gjatë kësaj periudhe të pandemisë është vërejtur një inerci burokratike e papranueshme, hezitim për të marrë përsipër përgjegjësi dhe mungesë lidershipi aq të domosdoshëm sidomos në situate të tilla, kur drejtuesit duhet të marrin përgjegjësi dhe vendime për të cilat jo domosdoshmërisht ekziston ndonjë praktikë e konsoliduar më parë. Situata të tilla kërkojnë iniciativë dhe vendimmarrje. Hezitimi për të vepruar e vendosur mund të shkaktojë mosveprimin që sjell pasoja të paparasikueshme. Mungesa e vendimmarrjes për mënaxhimin e situatës është arsyeja kryesore e vendimit për lirimin nga detyra të prefektit.”
Për të menaxhuar me efikasitetin më të lartë situatën në Qarkun e Shkodrës, qeveria ka vendosur të ngarkojë me detyrën e koordinimit dhe të drejtimit të përpjekjeve të gjithë degëve territoriale të qeverisjes në këtë qark zëvendësministrin e Brendshëm z. Besfort Lamallari.
Krahas kësaj, z. Lamallari do të ketë detyrën e koordinimit dhe bashkëpunimit me kryetarët e bashkive, në interes të daljes sa më të shpejtë dhe më të lehtë nga gjendja e pandemisë.
Sander Lleshaj: “Sigurisht që komandimi i një zëvendësministri në këtë funksion kaq të rëndësishëm, është shprehje e rëndësisë që Qeveria i kushton administrimit të gjendjes në tërësi e posaçërisht në Shkodër. Z. Lamallari do të ketë në dispozicion të tij jo vetëm institucionin e Prefektit dhe strukturat e degëve territoriale, por edhe gjithë kapacitetet e Ministrisë së Brendshme dhe të strukturave të tjera qendrore në funksion të menaxhimit sa më të mirë të situatës në Shkodër. Kam besim se drejtuesit e bashkive të qarkut do ta vlerësojnë këtë hap të rëndësishëm si shenjë përkujdesjeje të posaçme dhe të një vlerësimi të veçantë që Qeveria dhe Ministria e Brendshme ndjejnë përballë Shkodrës dhe qytetarëve të saj.”
Duke e konsideruar këtë hap si një tjetër dorë të shtrirë për bashkëpunim në shërbim të interesave më të mira të Shkodrës dhe qytetarëve të saj ftoj të gjithë aktorët që kanë apo ndjejnë përgjegjësi për fatet e këtij qyteti të mbështesin dhe të bashkëpunojnë sinqerisht me z. Lamallari në përballimin e gjendjes aktuale dhe përtej saj.”