
Ndërkohë që IKMT po vazhdon aksionin për largimin e ndërtimeve pa leje në Theth, një situatë e tensionuar u krijua kur një banor me aftësi të kufizuara u shtri në rrugë, duke kërkuar ndihmë të menjëhershme nga kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci. Ai i lutet që të mos i shemben banesat e ndërtuara me kredi dhe borxhe.
I revoltuar, banori arriti të ndalojë përkohësisht mjetet e IKMT-së duke hyrë mes rrugës dhe fadromës. Ai tha se është më mirë të humbasë jetën sesa të shohë shtëpitë e tij prej druri të shkatërrohen.
“Nuk ka beton fare,” tha ai. “Jam i vdekur nëse mi prishin. Kam 200 milion lekë borxh. Ju lutem shumë, Edi Rama dhe Benet Beci, më ndihmoni.”
Ai shtoi: “I bëj thirrje shtetit të vijë e të marrë masa. Po më shkatërrojnë shtëpitë dhe më nxjerrin në rrugë. Më mirë të më shtypë fadroma – të vdes. Janë të gjitha prej druri, i kam ndërtuar me kredi dhe borxhe. Këto janë shtëpi pa beton, ashtu siç na u kërkua. Ku të shkojmë tani? Nëse mi prishin, unë këtu vdes. Thirrje për ndihmë, Benet Becit, Edi Ramës – çfarë është kjo padrejtësi?”
Në skenë doli edhe motra e tij, e cila i doli në mbrojtje dhe tregoi historinë e familjes. Sipas saj, kanë ndërtuar pesë shtëpi prej druri mbi tokën e trashëguar nga babai dhe gjyshi i tyre, pa zaptuar asnjë hapësirë publike.
“Kulla e ngujimit është e gjyshit tonë. Jemi brez pas brezi në Theth. Nuk e kemi marrë padrejtësisht këtë tokë. Na thanë të ndërtojmë pa beton – dhe ashtu bëmë. Shtëpitë janë vetëm dërrasa dhe llamarina. Vëllai im – pa këmbë, pa dorë – është i dërrmuar. E ka dënuar zoti, tani po e mbyt edhe shteti. Jemi të shkatërruar psikologjikisht. Çfarë jete është kjo që po na detyron të përfundojmë në spitale? Pasha Zotin, do vdes nën fadromë. Një herë kam lindur, një herë do vdes,” – përfundoi ajo mes lotësh.
IKMT vazhdon ndërkohë operacionin në Theth për largimin e objekteve të ndërtuara pa leje, pavarësisht kundërshtive dhe tensioneve me banorët e zonës.




