
Dy pushues janë shpëtuar sot pasdite në zonën e Ranës së Hedhun, pasi u rrezikuan nga rrymat e forta detare për shkak të përkeqësimit të motit.
Ngjarja ndodhi rreth orës 17:30, kur tre shtetas shqiptarë, të moshës 30–35 vjeç, po laheshin në det. Njëri prej tyre arriti të dalë vetë në breg, ndërsa dy të tjerët u tërhoqën në thellësi nga rrymat.
Falë reagimit të shpejtë të një vrojtuesi deti, së bashku me ndihmën e administratorit të beach bar-it “Paradise”, të dy pushuesit u nxorën në breg dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Autoritetet apelojnë për kujdes të shtuar nga pushuesit, veçanërisht në ditë me mot të paqëndrueshëm, duke shmangur larjen në zona pa mbikëqyrje dhe duke respektuar sinjalistikën e sigurisë.




