
Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në fshatin Tale, ku një shtetas është ekzekutuar me armë zjarri në rrethana ende të paqarta.
Viktima është identifikuar si Pjetër Kaza, 57 vjeç, banues në këtë zonë. Sipas të dhënave të para, dyshohet se ai është qëlluar në momentin kur po hynte në oborrin e banesës me automjetin e tij. Trupi i pajetë u gjet brenda makinës, pranë shtëpisë së tij.
Menjëherë pas sinjalizimit, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e Policisë së Lezhës, të mbështetura nga Njësia Speciale e Shkodrës dhe Forca Kombëtare e Sigurisë.
Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor që po punon nën drejtimin e Prokurorisë për të hedhur dritë mbi motivet dhe për të identifikuar autorin e krimit.
Policia vijon kontrollet në zonë dhe i bën thirrje qytetarëve të ndihmojnë me çdo informacion që mund të çojë në zbardhjen e kësaj vrasjeje.




