COVID-19/ Sot ka nisur lirimi i të dënuarve që përfitojnë leje të përkohshme, 494 aplikime

Shpërndaje

Sot, në të gjitha burgjet kanë aplikuar 494 të dënuar. Totali që mund të aplikojnë janë 600 persona, të cilët i plotësonin kushtet për të përfituar nga kjo nismë e marrë nga qeveria. Këto persona duhet të kenë mbi 60 vite apo mund të jenë persona me sëmundje kronike, dhe sipas aktit normativ, ata përfitojnë leje të përkoshme, për 3 muaj. Të dyja kategoritë përfitojnë nëse nuk janë dënuar për vepra penale të rrezikshmërisë së lartë.

Ministria e Drejtësisë Etilda Gjonaj, në një dalje për mediat sqaroi se të burgosurit duhet të plotësojnë disa kushte dhe duhet t’i paraqesin një kërkesë administratës së burgut dhe miratimi apo refuzimi vjen pas 5 ditësh.

“Ata që do të përfitojnë duhet t’u kenë mbetur 3 ose më pak vite burgim, të mos jenë dënuar për vepra të rrezikshme penale dhe të mos jenë nën hetim për vepra të tjera. Gjithashtu do të përfitojnë edhe të burgosurit që u kanë mbetur 5 ose më pak vite burgim, por duhet të jenë mbi 60 vjeç ose me sëmundje kronike. Të burgosurit që do të përfitojnë do të nënshkruajnë një deklaratë, ku tregohet pëlqimi i familjarëve për t’i mbajtur në shtëpi.”

Shpërndaje