
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër
Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për një aksident në aksin rrugor “Shkodër- Hani i Hotit”, ju informojmë se specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore arrestuan shtetasin P. S., 65 vjeç, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. 65 vjeçari duke drejtuar autoambulancën e Spitalit të Koplikut, si rezultat i një parakalimi të gabuar ka përplasur automjetin me drejtues shtetasin A. K., 57 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën, dhe janë dëmtuar dy pasagjeret shtetaset S. K.,43 vjeçe, dhe D. K., 18 vjeçe,(bashkëshortja dhe vajza e shtetasit A. K), të cilat ndodhën në Spitalin Rajonal Shkodër, jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër arrestuan shtetasin M. H., 19 vjeç, banues në Shkodër, si dhe referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi në gjendje të lirë për dy të mitur 17 vjeç dhe 15 vjeç, sepse në bashkëpunim me njëri – tjetrin tek sheshi “Prek Cali”, Shkodër, kanë vjedhur një motomjet ne pronësi të shtetasit K. V., 46 vjeç, banues në fshatin Bardhaj.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
- B. M., 40 vjeç, banues në Shkodër, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka kanosur një 72-vjeçar;
- P. Gj.,dhe M. F, pasi nga kontrollet dhe verifikimet e kryera në bashkëpunim me shërbimet e OShEE-së, u konstatuan lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, në banesat e tyre.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. Q., 39 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Fshehje të ardhurave” “ Mospagim i taksave” dhe “Pushtim toke”, pasi ditën e djeshme u konstatua se në pronën e marrë me qira ku ushtron aktivitetin tregtar “Parking”, ne mënyrë të paligjshme shfrytëzon edhe një sipërfaqe toke që i përket Bashkisë Shkodër, pa paguar taksa apo detyrimet financiare ndaj institucioneve përkatëse.
Me date 13.03.2025, është paraqitur në Spitalin Rajonal Shkodër shtetasi Z. D., 57 vjeç, elektricist, i cili duke punuar në një kabinë elektrike, nuk ka zbatuar rregullat e sigurimit teknik dhe si pasojë ka rënë në kontakt me energjinë elektrike. 57-vjeçari ndodhet në Spitalin e Traumës jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.