
Pasi u akuzuan për vrasjen e Fatbardh Licit në Shkodër, Safet Bajri, Astmer Bilali dhe Behar Bajri, ankimuan masën e sigurisë arrest me burg.
Apeli i GJKKO ka regjistuar sot 13 mars 2025, ankimimin e tyre, ndërsa është caktuar sipas shortit edhe gjyqtarja e çështjes, Tereza Merkaj.
Njoftimi
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, regjistroi çështjen penale nr. 20 akti, datë 13.03.2025 regjistrimi, mbi ankimet e ankuesve S.R., A.B., B.B., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 12, datë 17.02.2025 dhe vendimit nr. 22, datë 24.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal.
Sipas shortit, trupi gjykues monokratik përbëhet nga gjyqtare Tereza Merkaj.
AKUZAT E SPAK
Safet Bajri, Astmer Bilali dhe Behar Bajri, akuzohen për tre vepra penale. Në njoftimin e SPAK thuhet se tre personat dyshohen për kryerjen e veprave penale; “Vrasje me paramendim” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal në dëm të viktimës Fatbardh Lici, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Nga hetimet e kryera në kuadër të këtij procedim penal, i cili lidhet me disa ngjarje kriminale të ndodhura në qytetin e Shkodrës në vitin 2018, rezulton se janë mbledhur prova mbi të cilat është krijuar dyshimi i arsyeshëm se të tre personat kanë planifikuar, organizuar dhe kanë kryer vrasjen me armë zjarri të shtetasit Fatbardh Lici i afërm i Ibrahim Licit në Shkodër më 10 gusht 2018.
“Motivi i vrasjes së tij dyshohet se lidhet ndër të tjera me atribuimin që shtetasi Behar Bajri, i bën shtetasit Ibrahim Lici për vrasjen e të njohurit të tij, shtetasit Boran Berçana”, thuhet ne njoftim.