Një lajm i trishtë vjen për botën e sportit dhe më gjërë. Ka nderruan jetë në moshën 79 vjeçare legjenda e futbollit shqiptar Sabah Bizi.
Sabah Bizi, legjendë e futbollit shqiptar dhe “Nder i Kombit,” lindi më 26 janar 1948 në Shkodër, ai nisi karrierën pranë ekipit të të rinjve të Vllaznisë dhe shpejt u bë pjesë e ekipit të parë. Në vitin 1965 fitoi Kupën e Republikës me Vllazninë dhe për tre vite radhazi (1965-1968) u rendit ndër “5 sportistët më të mirë të vitit.” Ai shkëlqeu edhe me Partizanin, duke fituar dy tituj kampion dhe një Kupë të Republikës gjatë shërbimit ushtarak, përpara rikthimit te Vllaznia, ku vazhdoi sukseset deri në pensionimin e tij si lojtar në vitin 1982.
Gjatë karrierës së tij, Bizi spikati si një nga lojtarët më të mirë të Kombëtares Shqiptare. Ndeshjet e tij më të paharrueshme përfshijnë barazimin historik 0-0 ndaj Gjermanisë në vitin 1967, ku përballoi legjendën Bekembauer, dhe duelin kundër Polonisë që përfundoi 1-1, një performancë që u vlerësua lart në shtypin sportiv të kohës. Me Vllazninë, ai fitoi tre tituj kampion dhe disa kupa të tjera të rëndësishme, duke lënë një trashëgimi të pashlyeshme në futbollin shqiptar.
Pas përfundimit të karrierës si lojtar, Sabah Bizi vijoi kontributin e tij si trajner dhe drejtues, duke punuar me ekipin e Veleçikut, Vllazninë dhe ekipet e moshave. Ai njihet si një figurë ikonike që i kushtoi jetën e tij futbollit dhe edukimit të brezave të rinj në këtë sport.