DVP Shkodër/ Finalizohet operacioni policor i koduar “Survey”, kapet dhe vihet në pranga një 33-vjeçar në kërkim, i akuzuar për prodhim dhe shitje të narkotikëve.
Në vijim të kontrolleve për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kanë kapur gjatë operacionit policor të koduar “Survey” dhe kanë vënë në pranga shtetasin Lekë Preçi, 33 vjeç, banues në Shkodër.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në kuadër të një hetimi të kryer me metoda speciale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.