Antonio Marku spikati sot me Teutën kundër Tiranës, ndërkohë që në fund u vlerësua me çmimin “lojtari i ndeshjes” duke marrë trofeun përkatës të Abissnet Superiore. Mbrojtësi shkodran foli pas ndeshjes së luajtur në “Arena Kombëtare”, që u mbyll barazim 0-0.
“Ishte dhe e vështirë dhe e rëndësishme sepse këtu është fushë e vështirë dhe të dyja ekipet në krizë pikësh. Gjithmonë kur nuk humb, mund të thuash një rezultat të mirë sidomos jashtë fushe. Por në momentin ku jemi ne, vetëm fitoret na nxjerrin në këtë krizë pikësh që jemi.
Jam i kënaqur, e mira nuk ka fund. Kam ardhur të ndihmoj ekipin, kur ka nevojë për mua. Mendoj kur ka pasur nevojë nuk e kam lënë në baltë. ‘Çdo lojtar i nevojshëm, askush i domosdoshëm’, është një shprehje në futboll.
U bënë disa vite, që po luaj në qendër të mbrojtjes, si me 3 dhe me 4. Dhe kur kam ardhur nga kampionati kosovar ku kam luajtur përgjithësisht si qëndërmbrojtës, i kam thënë trajnerit që pozicioni kryesor i imi është në qendër. Nuk është se është koinçidencë që po luaj në qendër, ka qenë diçka e mirë menduar”, u shpreh Antonio Marku për RTSH.