Gazetari Fatos Mahmutaj ishte i ftuar ditën e sotme në emisionin “Breaking”, ku ka dhënë detaje të reja në lidhje me zbërthimin nga na e Europol të një tjetër aplikacioni të koduar që përdorej nga bandat, me emrin “Matrix”.
Mahmutaj u ndal tek zhdukja e Ervis Martinaj, për të cilin ai ka bindjen se është ekzekutuar. Ai tha se në këto aplikacione, pas zhdukjes së tij, ka qarkulluar një video, por që më pas është zhdukur me shpejtësi.
“Në bindjen time personale, pasi jam informuar si të gjithë gazetarët e tjerë që në muajin gusht 2022 kur ai u zhduk, kam përshtypjen se ai është vrarë, është ekzekutuar, pra ka mbaruar punë. Por gjithsesi, atëherë u përfol që një video qarkulloi në këto aplikacionet e enkriptuara, pra në programet speciale. Megjithatë, kjo video nuk doli jashtë këtyre aplikacioneve dhe u zhduk shumë shpejt nga qarkullimi.
Pati deklarata në studio televizive nga gazetarë dhe analistë në Shqipëri për këtë video, madje dikush pohoi që e kishte parë këtë video. Tani kemi një njeri që është zhdukur prej më shumë se dy vitesh, po bëhen afërisht 2 vite e gjysmë dhe nuk kemi asnjë shenjë të tij, asnjë ekzistencë apo vazhdimit të krimeve të pambyllura. Kështu që besoj se duhen parë të gjitha aplikacionet e përdorura nga bandat shqiptare, kudo ku ato kanë aktivitetin, edhe jashtë vendit, si ‘Matrix’, ‘Sky Ecc’, Encrochat’. Duhen parë me kujdes për të gjetur një provë, për t’i dhënë fund kësaj dileme”, tha ai.