Mbylli sytë sot, me mëndje kthjellet, rrethuar nga familja, Prof. Sami Repishti (1925-2024), 99 vjeç, një nga zërat më të fuqishëm të kujtesës historike dhe një figurë e ndritur e diasporës shqiptaro-amerikane.
I lindur më 6 prill 1925 në Shkodër, Prof. Repishti vuajti burgjet dhe torturat çnjerëzore të regjimit komunist në Shqipëri, duke mbetur një simbol i rezistencës dhe i mbijetesës.
Pasi studioi për një vit në Firence të Italisë, u kthye në Shqipëri në vitin 1943. Ai u arrestua në vitin 1946 me akuzën “Agjitacion e propagandë kundër shtetit”.
Në kujtimet e tij shprehet se për 14 muaj iu nënshtrua torturave nga Sigurimi i Shtetit.
Pas lirimit dhe arratisjes drejt lirisë, ai ndërtoi një karrierë të shkëlqyer akademike në SHBA, ku punoi pa u lodhur për të përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e shqiptarëve në mbarë botën.
Librat e tij, si “Nën Hijen e Rozafës” dhe “Pika Loti,” janë thesarë të kujtesës kombëtare.