Në akset e Lotit 1, H. Hotit – Tamare, Tamare – Vermosh dhe Bogë – Theth, gjatë natës ka patur reshje shiu me intensitet të lartë, që kanë shkaktuar rënie gurësh dhe dalje të shumta inertesh.
Dalje inertesh ka pasur në aksin Tamare – Vermosh, në zonën e quajtur Dobrinje. Është punuar me mjete dhe fuqi punëtore për të larguar inertet nga karrexhata.
Në aksin Bogë – Theth, në orët e vona të natës, reshjet e shiut janë kthyer në reshje bore. Është punuar gjatë natës për pastrimin e borës dhe në mëngjes, me rënien e temperaturave, është bërë kriposja e akseve rrugore.
Aktualisht, moti është përmirësuar, por ka rënie temperaturash. Mjetet dhe makineritë janë në terren në gatishmëri duke monitoruar situatën.