Policia e Korçës në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” kanë parandaluar vjedhjen e një automjeti në lagjen nr.18.
“Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u kapën në flagrancë pas mesnate, duke tentuar të hapnin dyert e automjetit tip “Audi”, me mjete të forta, dhe u arrestuan shtetasit: E. M., 33 vjeç dhe E. Z., 30 vjeç, të dy banues në Shkodër”, njofton policia.
Mjetet e përdorura nga këta shtetas për vjedhjen u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Dy shkodranët akuzohen për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë.