Ermir Lenjani tërhiqet nga Kombëtarja: Faleminderit shqiptarë, një kapitull i mbyllur, por një rrugë e përjetshme!

Share your love

Futbollisti i Kombëtares, Ermir Lenjani, ka përfunduar aventurën e tij kuqezi.

Ai ka njoftuar tërheqjen nga Kombëtarja Shqiptare e Futbollit, pas një karriere të shkëlqyer me fanellën kuqezi.

“Dua t’ju njoftoj se kam vendosur të tërhiqem nga Kombëtarja shqiptare. Një vendim aspak i lehtë, por besoj që është momenti i duhur. Për mua ka qenë gjithmonë nder dhe përgjegjësi e madhe të vesh fanellën e kombit tim”, shkruan ai.

Lenjani u bë pjesë e historisë së futbollit duke marrë pjesë në “Euro 2016”, si lojtar i Kombëtares, e cila preku për herë të parë ëndrrën e Europianit.

“Jam shumë krenar që emri im është pjesë e historisë së futbollit shqiptar dhe që ëndrra ime e fëmijërisë u realizua në vitin 2016, ku bëmë krenarë kombin kuqezi me përfaqësimin historik për herë të parë në një Kampionat Europian.

Kam plot momente të bukura me fanellën kuqezi, që nga debutimi në ndeshjen ndaj Bjellorusisë, te goli i parë në “Elbasan Arena” ndaj Danimarkës, fitorja historike në “Francë 2016” ndaj Rumanisë dhe grumbullimi im i fundit në muajin mars 2023 me Kombëtaren, ku nisi edhe rruga drejt kualifikimit në “Euro 2024”., shkruan ai.

Lenjani falenderoi familjen, miqtë, bashkëpunëtorët, si dhe tifozët për çdo emocion dhe mbështetje të dhënë gjatë karrierës së tij.

“I jam falënderues Zotit, familjes time dhe çdo personi që më ka qëndruar pranë në çdo moment. Çdo fillim e ka një fund dhe rrugëtimi im nuk do të ishte i mundur pa trajnerët Gianni De Biasi, Christian Panucci, Edoardo Reja dhe Sylvio Mendes Campos Júnior, të cilët dua t’i falënderoj nga zemra për besimin e dhënë.

Gjithashtu, dua të falënderoj stafin teknik të Kombëtares, Federatën Shqiptare të Futbollit, Presidentin Armand Duka dhe të gjithë shokët e skuadrës që më kanë mbështetur në rrugëtimin më të veçantë të jetës time.

Në fund, falënderimi im më i madh është për tifozët e Kombëtares shqiptare. Në çdo stadium në Shqipëri dhe në Europë jemi ndjerë si në shtëpinë tonë, falë jush, tifozët më të mirë në botë. Tani e tutje jam si të gjithë ju, gjithmonë krah Kombëtares shqiptare dhe djemve kuqezi.

Faleminderit nga zemra shqiptarë. Një kapitull i mbyllur, por një rrugë e përjetshme!”, përfundoi ai.

Share your love