Arrest shtëpiak për të dënuarit deri më 18 muaj burg dhe byzylyk elektronik. Koronavirusi detyron Italinë të boshatisë burgjet, mes të dënuarve që përfitojnë mund të jenë dhe të burgosur shqiptarë. Shumica e tyre janë dënuar për trafik droge, prostitucioni e grabitje me dënime që shkojnë nga disa muaj në disa vite burg.
Situata shqetësuese e pandemisë COVID 19 në Itali ka detyruar qeverinë italiane të aprovojë masa parandaluese dhe për sistemin e burgjeve,
Në dekretin e fundit të aprovuar nga qeveria Konte është përfshirë dhe një normativë e re ligjore për të evituar përhapjes e pandemisë dhe në qëndrat e vuajtjes së dënimit.
Nga kjo normativë përjashtohen të burgosurit për krime të rënda, ata me krime të shumpërsëritura si dhe të burgosurit që gjatë ditëve të fundit u përfshinë në revoltat në burgje.
Kjo normativë e re ligjore është e vlefshme deri më datë 30 qershor 2020.
Sipas saj të burgosurit e dënuar nga 7 deri më 18 muaj burg apo ata që u kanë ngelur dhe 18 muaj për të vuajtur dënimin , mund ta shlyejnë atë në regjim shtëpiak. Për ta do të vendoset pajisja e byzylykut elektronik e nëse do të shkelet ky regjim, dënimi për ta shkon nga 1 deri në 3 vjet burg.
Ky vendim i qeverisë Konte është kundërshtuar me forcë nga ish Ministri i Brendshëm Matteo Salvini, i cili ka deklaruar se “të mbyllim italianët në shtëpi e të hapim burgjet për kriminelët, është një shuplakë që i jepet italianëve dhe forcave të rendit”.
“Garancia ndaj dënimit është thelbësore, dhe sidomos pas revoltës së burgjeve që shkaktoi viktima e të plagosur”, tha ai.
Vendimi i qeverisë italiane për të ndërprerë takimet mes të burgosurve dhe familjarëve deri më 31 maj 2020 si dhe pasiguria në burgje për rrezikun e infektimit nga koronavirusi, çoi ditë më parë në protesta të forta në shumë burgje italiane. Protestat shkaktuan 12 viktima dhe 40 të plagosur mes të ciëlve dhe mjaft punonjës burgjesh.
Gjithashtu dhe sindikata e punonjësve të policisë së burgjeve ka kritika ndaj këtij vendimi duke theksuar se numri i pajisjeve elektronike për të kontrolluar të burgosurit në arrest shtëpiak është shumë i ulët dhe i pamjaftueshëm për të gjithë.