Arben Ahmetaj humb mandatin, mund të zëvendësohet nga…

Shpërndaje

Pas heqjes së imunitetit në korrikun e 2023-it, Arben Ahmetaj humbet edhe mandatin e deputetit.

Për herë të fundit Arben Ahmetaj u shfaq në Kuvend në 6 korrikun e një viti më parë pak ditë para se të arratisej.

Në kërkim ndërkombëtar pasi akuzohet nga SPAK për korrupsion dhe fshehje të produkteve të veprës pendale, Arben Ahmetaj, zhvishet edhe nga detyra e fundit, e deputetit të partisë socialiste.

Mandati i tij quhet i përfunduar pasi për 6 muaj rresht ish numri dy i qeverisë mungoi pa arsye në kuvend.

Ky parashikim në kushtetutë i jep të drejtë kryeparlamentares Lindita Nikolla që që në nisje të parlamentit të bëjë me dije përfundimin e mandatit dhe të vë në dijeni Komisionin Qendror të zgjedhjeve për zëvendësimin e Arben Ahmetaj.

Sipas rezultateve të dala nga vota e parlamentareve të 2021-it, mandatin e deputetit e merr Dallëndryshe Bici. Mbetet për tu parë nëse ajo do të lërë detyrën e drejtueses së Kadastrës pas 11 muajsh në krye të një prej institucioneve më të rëndësishme të dokumenteve të pronësisë.

Jo zyrtarish emri më i përfolur për tu ulur në karrigen e deputetit është juristi dhe anëtari i këshillit bashkiak Tiranë, Plarent Ndreca. Për nga sasia e votave të marra ai renditet pas Dallëndyshe Bicit.

Grupi parlamentar i socialistëve nuk do të jetë i vetmi që do të rikthehet në kuvend me ndryshime. Pjesës më të madhe të opozitës pritet t’i mungojë lideri i saj, Sali Berisha, për shkak të arrestit në shtëpi.

Ndryshimet apo mungesat te shumica socialiste dhe opozita janë kokëçarja më e vogël për qeverinë përballë vendosmërisë së demokratëve për të trazuar jetën parlamentare.

Tymueset, barrikadat me karrige apo çdo formë tjetër që pamundëson normalitetin në kuvend mbeten deri më tani skenarë të pandryshuar për opozitën që nga ana tjetër shumica socialiste e kërcënon me përjashtime që shkojnë deri në 60 ditë pa punë e rrogë.

Shpërndaje