Një ngjarje e mundshme kriminale është parandaluar nga policia në Vaun e Dejës, ku një person i armatosur që udhëtonte me makinë është arrestuar.
37-vjeçari me iniciale M. (Z.) Gj. mbante kallashnikov poshtë sediljes së makinës Audi. Policia kishte marrë informacion për 37-vjeçarin që udhëtonte i armatosur dhe që dyshohej se do të kryente ngjarje kriminale.
Uniformat blu ndërhynë, por i dyshuari tentoi të largohej sapo pa policët. Ai u neutralizua dhe u arrestua.
Policia sekuestroi kallashnikovin me 2 krehra me municion luftarak.
Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në bashkëpunim me ato të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet e thelluara për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të qëllimit që kishte ky shtetas që qarkullonte me armë zjarri.