U arrestua pas konfliktit te Kepi i Rodonit, zbardhet dëshmia e ish-deputetit Mark Frroku: Më kontaktoi Kisha Franceskane për rrethimin e tokës…

Shpërndaje

Toka bujqësore duket se është bërë kryefjalë e sherrit mes dy grupeve dje në Kepin e Rodonit, që çoi në arrestimin e 8 personave, mes tyre dhe ish-deputeti i PS-së, Mark Frroku.

Ajo sapo ishte punuar nga banorët e fshatit Shetaj. Në anë të rrugës është vendosur dhe gardhi nga e Kishës Franceskane.

Toka bujqësore është shpërndarë me ligjin 7501 dhe i përket një familje nga Shetaj e cila është konfliktuar me përfaqësues të Kishës Franceskane, me të cilët ishte dhe Mark Frroku dhe persona të tjerë.

Pak metra më tej tokës është vendosur rrethimi. Si fillim mes palëve ka pasur një konflikt verbal dhe më pas ka nisur përplasja fizike. Ndërkohë, Besnik Toma, shofer i Mark Frrokut ka qëlluar me armë zjarri në ajër dhe më pas është arratisur.

BalkanWeb raporton se Frroku ka deklaruar se e ka kontaktuar Kisha Franceskane për të kryer rrethimin e tokës në Kepin e Rodonit, ndërkohë që ai nuk ka paraqitur asnjë dokument për këtë.

Një dokument ka pasur vetëm shoferi i tij, Besnik Toma, i shpallur në kerkim policor. Policia thotë se mbetet në dore të prokurorisë marrja në pyetje e priftit të kishës për të zbardhur kontratat që janë nënshkruar.

Mark Frroku, Antonio Lazari, Pal Doda dhe Martin Lazeri u arrestuan për “Kanosje”, “Moskallëzim krimi”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prishje të rendit dhe qetësisë publike”. Ata pritet të dalin nesër në Gjykatën e Durrësit për vlerësim të masës së sigurisë. Policia ka shpallur në kërkim Besnik Tomën, shoferin e Frrokut, pasi dyshohet se ka qëlluar me armë në vendin e konfliktit ku u gjet edhe një gëzhojë pistolete. Ai është administrator i kompanisë “A.M-L Group”, e cila është kontraktuar për të kryer punimet e murit rrethues nga pjesëtarë të kishës.

Referuar dokumentacionit në QKB, në datën 3 korrik 2023, me vendim të Mark Frrokut, i cili është aksioner me 100% ka zgjatur emërimin e Besnik Tomës deri në vitin 2026. Nga pala tjetër në konflikt, janë vënë në pranga banorët e zonës, Bajram Kaçuli, pretendent i pronës dhe Erjon Reka, Ylli Reka e Erjon Reka, të akuzuar për “Plagosje të rëndë me dashje” dhe “Vetëgjyqësi”, të cilët janë konfliktuar me sende të forta me rojet e parkut dhe përfaqësues të kishës katolike që po kryenin punimet e rrethimit. Policia tha se ka proceduar në gjendje të lirë edhe shtetasin Ndue Sokoli për “Moskallëzim krimi”.

Shpërndaje