Plagosja në Malësinë e Madhe/ Dyshohet se nuk u “morën vesh për lekët”, dëshmia e 17-vjeçarit afgan: Na sulmoi një grup shqiptarësh…

Shpërndaje

Tetë persona janë shoqëruar nga policia vendore e Shkodrës si të dyshuar për plagosjen e një shtetasi nga Afganistani, ngjarje që ndodhi pasditen e 14 tetorit në Malësinë e Madhe.

Gazetari Senad Nikshiqi raporton për BalkanWeb se në fshatin Fermë, në afërsi të shinave të trenit katër shtetas afgan janë sulmuar nga një grup personash shqiptar. Nga ky konflikt mes tyre njëri prej afganëve, shtetasi me inicialet A.Z, 17 vjeç është plagosur me armë zjarri. 17-vjeçari menjëherë pas ngjarjes është dërguar në spitalin rajonal të Shkodrës ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Fillimisht katër afganët e kanë patur të vështirë të komunikojnë me policinë vendore të Shkodrës për shkak se nuk dinin asnjë gjuhë të huaj përveç gjuhës së tyre. Pas gjetjes së një përkthyesi, të rinjtë kanë deklaruar se janë sulmuar nga një grup shtetasish nga Shqipëria.

I plagosuri dhe tre shokët e tij mësohet se janë emigrant ilegalë të cilët po tentonin që të kalonin në mënyrë të parregullt nga Shqipëria drejt Malit të Zi dhe më pas me destinacion shtetet e Bashkimit Europoian.

Në këtë mënyrë kalimin e tyre e kanë marrë përsipër disa shtetas shqiptar të cilët dyshohet se nuk janë kuptuar shumë mirë për paratë që duhet të paguanin afganët dhe në këtë mënyrë i kanë sulmuar duke bërë që njëri prej tyre të mbesë i plagosur. Policia e Malësisë së Madhe dhe e Shkodrës mbërritën në vendngjarje duke nisur menjëherë hetimet. Në këtë mënyrë deri më tani është bërë shoqërimi i tetë personave, dëshmitarë dhe mes të cilëve edhe të dyshuar si autor të plagosjes së 17-vjeçarit nga Afganistani.

Numri i shtetasve nga vendet e treta që vijnë si emigrantë të paligjshëm në Shkodër është shtuar ndjeshëm. Të gjithë objektiv kanë kalimin ilegal nga Shkodra në Malin e Zi dhe më pas drejt vendeve të BE. Disa herë policia vendore e Shkodrës ka goditur personat që merren me trafikimin e këtyre emigrantëve por sërish për trafikantët e qenieve njerëzore vijon të mbetet një punë që sjell goxha të ardhura.

Për të marrë një shtetas të vendeve të treta nga Gjirokastra, Saranda, Elbasani që janë pikat kufitare hyrëse për këto emigrant apo edhe Tirana dhe për t’i sjellë në Shkodër e më pas për t’i kaluar ilegalisht drejt Mali të Zi çmimet variojnë deri në 2000 euro personi.

Shpërndaje