Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet masive ajrore izraelite kundër enklavës së bllokuar është rritur në 1.900, raporton Anadolu.
Në një deklaratë, ministria tha se 614 fëmijë dhe 370 gra ishin në mesin e personave të vrarë në sulmet izraelite.
Duke bërë thirrje për t’i dhënë fund sulmeve izraelite, në deklaratë thuhet se numri i të plagosurve është rritur në 7.696, duke përfshirë 2.000 fëmijë dhe 1.400 gra.
Në deklaratë thuhet se gjithsej 15 punonjës të kujdesit shëndetësor kanë humbur gjithashtu jetën dhe 27 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite.
Për më tepër, në deklaratë thuhet se Spitali i Fëmijëve Al-Durra i Gazës u godit me bomba me fosfor të bardhë nga ushtria izraelite dhe se pacientët dhe stafi u transferuan në Spitalin e Fëmijëve El Nasr.
Në deklaratë theksohet përkeqësimi i sistemit të kujdesit shëndetësor në Gaza dhe bëhet thirrje për krijimin e korridoreve të sigurta për të lehtësuar evakuimin e të plagosurve, si dhe për dërgimin e karburanteve, furnizimeve mjekësore dhe personelit të kujdesit shëndetësor në rajon.
Në një përshkallëzim dramatik të tensioneve në Lindjen e Mesme, forcat izraelite nisën një fushatë të pandërprerë dhe të fuqishme ushtarake kundër Rripit të Gazës, në përgjigje ndaj një ofensive ushtarake të grupit palestinez Hamas në territoret izraelite.
Konflikti filloi të shtunën e kaluar kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksa-së” kundër Izraelit, një sulm i papritur shumë-dimensional, përfshirë një breshëri lëshimesh të raketave dhe infiltrimesh në Izrael përmes tokës, detit dhe ajrit.
Hamasi tha se operacioni ishte në hakmarrje për sulmin ndaj xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.
Më pas, ushtria izraelite nisi operacion kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës.
Përgjigjja e Izraelit është shtrirë në ndërprerjen e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar më tej kushtet e jetesës në zonën që është përfshirë nga rrethimi që nga viti 2007.