Shkodër/Informacion paraprak
Mbrëmjen e djeshme, salla operative e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër ka marrë njoftim nga shtetasi A. V., 38 vjeç, se në banesën që kishte lënë me qira, në lagjen “Naim Gjylbegu”, kishte gjetur të dekompozuar trupin e shtetasit D. K., 39 vjeç (qiramarrësi), lindur në Korenë e Jugut dhe banues në Shkodër (që nga muaji shkurt i vitit 2022).
Sipas deklarimeve të 38-vjeçarit, ai kishte shkuar në këtë banesë, pasi prej muajsh nuk kishte përgjigje nga qiramarrësi i saj, shtetasi D. K., dhe kur ka konstatuar trupin e dekompozuar të këtij shtetasi, ka njoftuar menjëherë Policinë.
Nga këqyrja paraprake e trupit të 39-vjeçarit, nuk janë konstatuar shenja dhune, ndërsa nga kontrollet e imtësishme në këtë banesë, janë gjetur disa doza të dyshuara të lëndëve narkotike. Paraprakisht dyshohet se shtetasi D. K. e ka humbur jetën nga mbidoza e lëndëve narkotike.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.