Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi ka bërë të ditur se tashmë dëftesat e nxënësve apo certifikatat e notave për maturantët mund të printohen direkt nga sistemi i e-Albania.
“Jemi krenarë që këtë vit arritëm ta përmbushim me sukses angazhimin tonë që si certifikatat e notave të maturës, ashtu dhe dëftesat e nxënësve për çdo vit shkollor në sistemin parauniversitar, të printohen nga platforma e-Albania sa herë që dëshironi, pa qenë nevoja të drejtoheni fizikisht në institucionet arsimore”, shkruan Kushi në rrjetin social në Facebook.
Gjithashtu, Kushi thekson se janë lehtësuar procedurat edhe për ata që iu duhet diploma jashtë vendit.
“Përveç kësaj, të gjithë ata të cilëve u duhen këto dokumente për jashtë vendit, janë lehtësuar edhe nga procedura e mëparshme për vulë legalizimi në QSHA, por drejtohen vetëm në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme për vulën apostile”, shkruan Kushi.
Kushi shton se “kjo arritje u bë e mundur si rezultat i bashkëpunimit me AKSHI-n dhe QSHA-në për ndërtimin dhe vënien në funksion të plotë të sistemit SMIP, si dhe falë përkushtimit të të gjithë mësuesve dhe zyrave arsimore për ta realizuar këtë shërbim në kohën e duhur”.