Maturantët e Shkodrës që i përkasin gjimnazeve publike dhe jopublike të qytetit dhe njësive administrative u bënë pjesë e aktivitetit festiv “Dita e Maturantit”, organizuar nga ZVA Shkodër me mbështetjen e bashkisë, me pjesëmarrjen e bandës frymore të qytetit.
Çdonjëra nga shkollat e mesme parakaloi me grupet përfaqësuese të tyre në pedonalen e qytetit për t’u bashkuar të gjithë në sheshin para bashkisë.
Pas fjalimeve përshëndetëse u vijua me aktivitetin festiv, i pasuruar me numra artistik të përgatitur nga vetë maturantët.
Nga 1500 të tillë në nivel bashkie për këtë vit shkollor që u mbyll, 34 prej tyre janë ekselentë ndërsa ata u nderuan me “Çertifikata Mirënjohje” që u dorëzuan nga Kryetari i Bashkisë Benet Beci.
Në përfundim ashtu siç e do tradita ata hodhën të gjithë së bashku kapelet e tyre për t’i lënë vendin një rrugëtimi të ri.