Pavarësisht diferencës së thellë, rezultati i 14 Majit prodhoi një sërë ankimimesh nga partitë politike. Shumica prej tyre janë për anëtarët e këshillit, por nuk i kanë shpëtuar këtij procesi 6 kryebashkiakë të zgjedhur.
Bëhet fjalë për kryetarin e Bashkisë së Krujës, Elbasanit, Rrogozhinës, Belshit, Kamzës dhe Kuçovës. Deri më tani, Komisioni i Ankimimeve ka rrëzuar kërkesën e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për të shpallur të pavlefshëm rezultatin në bashkinë e Krujës. Ankimimet e 5 bashkive të tjera, ende nuk janë marrë në shqyrtim nga KAS.
Në dy qytete ku triumfoi PS, shqetësimi i opozitës buron nga përdorimi i teknologjisë për votimin dhe numërimin elektronik.
Në Kamëz, “Bashkë Fitojmë” kërkon ekspertim kompjuterik të çdo pajisjeje elektronike me server për ruajtjen e të dhënave. Ekspertizë të huaj opozitarët kërkojnë edhe për Elbasanin dhe gjithashtu ripërsëritje të procesit të votimit elektronik.
Votat e pavlefshme më të shumta se diferenca mes kandidatëve, ka nxitur koalicionin “Bashkë Fitojmë” të kërkojë rivotim në bashkinë e Rrogozhinës.
Sa i takon Belshit, kërkohet rinumërimi i votave në të gjitha qendrat e votimit si dhe shpalljen e pavlefshme të procesit të votimit në burgun ‘Kosovë’.
Deri në përfundim të procesit të ankimimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do mund të certifikojë zyrtarisht fitoren për këta kryebashkiakë.