Seanca e fundit plenare u karakterizua nga një bashkim forcash mes ligjvënësve. Ndonëse ligji për pagat në institucionet kushtetuese kërkonte 84 vota, 93 deputetë i dhanë dritën jeshile ndryshimit të formulës për këtë kategori.
Tashmë, paga bazë e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga 118 100 lekë që është aktualisht do të jetë 153 000 lekë. Kjo nismë ligjore erdhi pas një vendimi të gjykatës Kushtetuese, që përcaktonte se pagat e magjistratëve nuk mund të ishin më të ulëta se 152, 700 lekë. Sipas deputetëve në parlament, duhej garantuar që paga e gjyqtarëve dhe prokurorëve të vijë në zbatim të sistemit të referencës së pagave.
Ndërsa me 95 vota pro, Kuvendi i rriti pagat 130.000 punonjësve të administratës. Një nismë e qeverisë shqiptare, e marrë shumë pak para zgjedhjeve vendore. Kryeministri Rama mohoi të ishte një taktikë elektorale, pasi sipas tij synimi i vetëm ishte rritja e pagës mesatare deri në 900 mijë lekë.
Nga ky vendim i konkretizuar me votë në Parlament, do të përfitojnë:
ADMINISTRATA PUBLIKE: 81 000 lekë
MËSUESIT E ARSIMIT BAZË: 95 000 lekë
MËSUESIT E CIKLIT TË MESËM: 10.000 lekë
PEDAGOGËT: Paga bazë rritet + 20%
INFERMIERËT: 90 000 lekë
MJEKËT SPECIALISTË – Rritje me 50 mijë lekë
MJEKËT E PËRGJITHSHËM – Rritje me 7%
DREJTUES MADHOR I POLICISË: 187 500 lekë
GRADA KOMISAR: 112 500 lekë
GRADA INSPEKTORI : 97 500 lekë
Presidenti i Republikës pritet të nxjerrë një dekret për përshpejtimin e hyrjes në fuqi të këtij projektligji, ç’ka do të thotë se të gjitha kategoritë që përfitojnë do të kenë mundësi që pagën e re, të rritur ta marrin që nga rroga e muajit Prill.