KF Vllaznia marrëveshje bashkëpunimi me KF Rapid Wien…

Shpërndaje

Me ftese të Klubit te Futbollit Rapid Wien, morën pjesë në një vizitë zyrtare në Austri, në datat 5-6 mars 2023, një delegacion i Klubit të Futbollit Vllaznia i përbërë nga presidenti z.Alban Xhaferi, sekretari i përgjithshëm z.Blendi Dibra dhe drejtori sportiv z.Auron Miloti, të shoqëruar nga Konsulli i Nderit i Austrisë në Shkodër z.Gjergj Leqejza.

Delegacioni kuqeblu më datë 5 mars ishte i ftuar nderi për të ndjekur ndeshjen më të rëndësishme të Bundesliges austriake ndërmjet SK.Rapid Wien dhe Red Bulls Salzburg (2-4), ku u pritën ngrohtësisht nga presidenti i Rapid Wien, z.Alexander WRABETZ.
Dita e hënë 6 mars u përqendrua në mundësitë e bashkëpunimit të dyanshëm ku menaxheri i përgjithshëm z.Werner Kuhn ka bërë një prezantim të strategjisë së zhvillimit të klubit të Rapid nëpërmjet një plani të qartë biznesi, i zhvilluar në promovimin e produkteve të cilat tregtohen nga ana e Rapid, ndërtimin e marëdhënieve me sponsorat si dhe menaxhimin e lojtarëve të akademisë dhe transfertave të suksesshme prej të cilave sigurohen të ardhura të konsiderueshme.

Gjatë diskutimeve drejtuesit e Rapid Wien u shprehën se e shohin me interes bashkëpunimin me Shqipërinë dhe specifikisht me Vllazninë e Shkodrës duke u përqendruar në identifikimin dhe zhvillimin e lojtarëve të akademise së Futbollit Vllaznia dhe mundësisë së përfshirjes së tyre në Klubin e Futbollit Rapid Wien.

Për këtë qëllim në muajt në vazhdim drejtori sportiv i tij, z.Markus KATZER pritet të udhëtojë drejt Shkodrës për të ndjekur nga afër ekipet e Akademise së Futbollit Vllaznia.

Shpërndaje