“Ishim shumë të lexueshëm”, Josa pas barazimit me Egnatian: Jemi mësuar të luajmë me pengesa

Shpërndaje

Trajneri I Vllaznisë, Mirel Josa, e ka cilësuar sfidën e sotme ndaj Egnatias si të rëndësishme, ashtu si edhe faktin që ekipi doli pa u mundur dhe pa pësuar nga kjo transfertë.

“Ndeshjet kur janë të tilla, duhet të dimë që kemi përballë një skuadër që kishte pretendimet e saj, normalisht edhe ne tonat. Rrezikshmëria e asaj skuadre sidomos në vijën sulmuese dhe dy lojtarë mesfushorë, ishte konstant. Ne duhej të kishim parasysh që kur fitonim topin në mesfushë, duhej të dilnim me pasime më saktësisht, duhej të mbështetnim më shpejt Balën, apo Latifin dhe Malën. Ky është problemi. Megjithatë, një lojë që u luajt sidomos 10 minutat e fundit ne duhej të ishim më kërkues, Egnatia shpenzoi shumë në minutat e para të pjesës së dytë. Kishte dy mundësi shënimi, por edhe ne. Duhet të kemi parasysh që në 30 metrat e fundit duhej të bënim më mirë, sidomos në shërbim të bashkëlojtarëve.

Të mos humbësh ndeshjen me një skuadër si Egnatia është mirë, edhe pse nuk kishim ardhur për të barazuar ndeshjen. Skuadra ishte e vendosur sidomos në detyrat mbrojtëse ku nuk kishim probleme, në momentin kur shkonim në sulm me dy mesfushorët qëndrorë, Markun e Jonuzin, qoftë edhe me Alivodën, i cili duhej të shpërndante më shpejt topin, duhej të ishim më të shpejtë se bëheshim shumë të lexueshëm dhe i jepnim kohë Egnatias që të organizohej në mbrojtje. Mundësitë këto ishin, ju përmendët mungesat por jemi mësuar të luajmë me pengesa, se edhe Smajli doli jashtë loje gjatë javës. Jam i kënaqur me ata që luajtën, se jemi mësuar me mungesa gjithë kohës. Duhet të kemi parasysh në çfarë kushtesh luhet ndeshja dhe çfarë mund të marrësh maksimumin nga skuadra jonë. Nëse do të bënim më mirë pjesën sulmuese, ose më shpejt, do të kishim qenë më efikas.

Një ndeshje nuk është e sigurt që do ta fitosh, që të rrezikosh në çdo mënyrë. Kampionati është i gjatë, të mos humbësh dhe duke pasur parasysh kë ke përpara, apo kundër. Egnatia është skuadër që mund të të ndëshkojë në çdo moment, ndaj jam i kënaqur me barazimin”, tha Josa për “Oversport” pas përfundimit të ndeshjes.

Shpërndaje