Deri në këto momente, Shqipëria mbetet e paprekur nga koronavirusi i ri COVID-19.
Në komunikimin e përditshëm me median, përfaqësuesja e Task-Forcës së ngritur nga Ministrja Manastirliu, deklaroi se 3 persona të dyshuar që u testuan mbrëmjen e djeshme në laboratorin e virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, rezultuan negative.
“Nga periudha e shfaqjes seë epidemisë në Kine e deri mbrëmjen e djeshme janë testuar në total 29 raste të dyshuar, të cilët kanë rezultuar negative për COVID-19. Rastet kanë pasur shenja të infeksionit të sipërm respirator dhe histori udhëtimi me vendet ku ka shpërthime komunitare”, tha Tomini.
Nga survejanca e përforcuar në pikat kufitare ajrore detare dhe tokësore, po kryhet monitorimi i temperaturës në vijimësi për të gjithë udhëtarët që hyjnë në Republikën e Shqipërisë.
Në 24 orët e fundit janë monitoruar për temperaturë 13,672
persona në pikat kufitare ajrore, tokësore dhe detare.
Në 24 orët e fundit thirrjet në nr e Urgjencës Kombëtare 127 kanë arritur
nivelin e 1485 telefonatave, nga të cilat 57 prej tyre janë vlerësuar në lidhje
me infeksion viral respirator dhe histori udhëtimi me Italinë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale rekomandon udhëtarët që vijnë nga rajonet e prekura me shpërthime komunitare dhe që kanë patur kontakte me persona të sëmurë apo të dyshuar për COVID-19, të vetëkarantinohen për një periudhë 14 ditore.
MSHMS rekomandon qytetarët që kane udhëtuar në vendet e prekura dhe kanë shenjat e infeksionit viral të telefonojnë 127 për të marrë udhëzimet e duhura se si të veprojnë mbështetur në gjendjen e tyre shëndetësore.