Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër njoftoi se ka nisur puna për inspektimin në terren të projekteve fituese të Konkursit Ndërkombëtar “Art në Hapësira Publike”, koordinuar nga Ministria e Kulturës në mbështetje të artistëve të skenës së pavarur.
Aktualisht ka nisur puna me instalimin e veprës artistike “Zabel” me autor Sadik Spahinë, në rrethrrotullimin në dalje të Koplikut.
Përzgjedhja e 3 veprave, mes 132 propozimeve të artistëve vendas dhe nga vende të ndryshme të botës, dedikuar hapësirës në rrethrrotullime në territorin e Bashkisë Malësi e Madhe, shënon një moment të rëndësishëm sa i përket arredimit urban por edhe shërben për të përcjellë një imazh tjetër portës hyrëse veriperëndimore të vendit.