Nën sekuestro restoranti në Shkodër, 3 persona përfundojnë në spital me djegie në ezofag dhe stomak…

Shpërndaje

Vendosen nën sekuestro një hotel dhe një restorant në Shkodër, ku dyshohet se janë helmuar tre persona.

Me indicie të Prokurorisë së rrethit Shkodër të mbështetur nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit po bëhet bllokimi i subjektit.

Shkak mendohet konsumimi i ujit të kontaminuar të ambalazhuar të një prej kompanive që shërbehej në atë restorant.

Paraprakisht mendohet që në shishen e ujit të ketë patur lëndë djegëse, për shkak se mjekët thonë se tre personat, nëna me djalin 14 vjeç dhe kamarieri i lokalit, janë paraqitur me djegie në ezofag dhe stomak.

Të gjitha dyshimet janë përqendruar në faktin se të dëmtuarit mund të kenë pirë acid, në vend të ujit.

Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për të zbardhur të plotë këtë rast.

Njoftimi i policisë

Më datë 28.12.2022, rreth orës 23:30, në Spitalin Rajonal Shkodër, janë paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore, shtetasja A. Z., 41 vjeçe dhe djali i saj, shtetasi A. Z., 14 vjeç, banues në Malësi të Madhe, si dhe shtetasi M. M., 30 vjeç (kamarier i lokalit), banues në Shkodër, të cilët dyshohet se janë helmuar nga uji i konsumuar në një lokal, në Shkodër.

Shtetasja A. Z., së bashku me djalin e saj, janë dërguar për mjekim më të specializuar, në Tiranë.

Grupi hetimor, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të AKU-së, Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon intensivisht punën për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Shpërndaje