Kuvendi miraton ndryshimet në ligjin për Policinë e Shtetit, ja çfarë parashikojnë amendimet e reja…

Shpërndaje

Kuvendi i Shqipërisë miratoi këtë të enjte amendimet e reja në ligjin për Policinë e Shtetit, të cilat synojnë forcimin e institucionit dhe rritjen e eficiencës në organizimin dhe funksionimin e tij.

Sipas ndryshimeve të miratuara, reforma nuk prek parimet bazë mbi të cilat është ndërtuar Policia e Shtetit, por synon ta bëjë institucionin më funksional dhe më të aftë për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë.

Mes ndryshimeve kryesore parashikohet forcimi i kapaciteteve drejtuese përmes një organizimi më të thjeshtë dhe më funksional, me një zinxhir komandimi më të qartë dhe vendimmarrje më të shpejtë.

Amendimet rikthejnë gjithashtu lidhjen mes gradës dhe funksionit drejtues në sistemin e karrierës, duke e bazuar avancimin në meritë dhe eksperiencë profesionale.

Një tjetër ndryshim synon eliminimin e vakancave të zgjatura në pozicionet drejtuese, duke shmangur proceset burokratike që krijojnë boshllëqe në drejtimin e strukturave të Policisë së Shtetit.

Reforma parashikon edhe modernizimin e administrimit të burimeve njerëzore, me rregulla më të qarta dhe më të drejta për transferimet, si dhe një sistem disiplinor më proporcional.

Po ashtu, ndryshimet vlerësojnë ruajtjen e kujtesës institucionale, duke e konsideruar përvojën e fituar ndër vite si një aset të rëndësishëm për shtetin.

Sipas argumenteve që shoqëruan miratimin e amendamenteve, në kushtet e sfidave të reja të sigurisë dhe luftës kundër krimit transnacional, Shqipëria ka nevojë për një Polici Shteti më të fortë, më profesionale dhe më pranë qytetarëve.

Shpërndaje